Washington Post i referohet AP në artikullin e sotëm për protestën
Mbështetësit e opozitës në Shqipëri kanë protestuar sërish dhe kanë kërkuar që qeveria të zëvendësohet nga një qeveri taknike përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Opozita i ka akuzuar prej kohësh socialistët e kryeministrit Edi Rama për korrupsion, manipulim të votimeve të mëparshme dhe uzurpim të pushteteve të gjyqësorit dhe të tjerëve.
Partia Demokratike e ish-kryeministrit Sali Berisha ka zhvilluar protesta në parlament gjatë javës së kaluar pasi një koleg i tyre u dënua për shpifje dhe u burgos për një çështje që ata e konsiderojnë si të motivuar politikisht. Ervin Salianji ka apeluar dënimin e tij në Gjykatën e Lartë.
Demokratët, të cilët kanë organizuar jo shumë protesta të tjera të dhunshme kundër qeverisë që nga viti 2013, kërkojnë gjithashtu lirimin e Berishës nga arresti shtëpiak, ku ai u vendos gjatë një hetimi për korrupsion të dyshuar.
Disa mijëra protestues u mblodhën para godinës kryesore të qeverisë në Tiranë duke thirrur “Poshtë diktatura” dhe “Berisha, Berisha”. Pas një përplasjeje të shkurtër me policinë, ata hodhën kokteje molotov.
Jashtë selisë qeverisëse të Partisë Socialiste, ata hodhën sërish kokteje molotov dhe dogjën një poster të kryeministrit, i cili drejton partinë Socialiste. Të njëjtën gjë bënë edhe jashtë Ministrisë së Brendshme dhe bashkisë së Tiranës. Jashtë parlamentit, policia përdori gaz lotsjellës për t'i larguar ata.
Qindra oficerë policie kishin zënë pozicione për të mbrojtur institucionet qeveritare. Policia tha se trafiku është bllokuar në shumë rrugë në qendër të qytetit.
Policia tha se 10 oficerë u plagosën nga kokteje molotov, sende piroteknike dhe sende të forta. Disa protestues u panë me sy të lotuar nga gazi lotsjellës dhe disa u dërguan në spital, sipas mediave lokale.
Sekretari i Përgjithshëm i Demokratëve, Flamur Noka, i dha fund protestës duke u zotuar se “mosbindja civile” do të vazhdojë.
Ambasada e SHBA-së kishte paralajmëruar qytetarët e saj që të qëndrojnë larg protestës.
SHBA dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar opozitës që të rifillojë dialogun me qeverinë, duke thënë se dhuna nuk do ta ndihmojë vendin të integrohet në bllokun me 27-vende të BE-së.
Në vitin 2020, BE vendosi të nisë negociatat e anëtarësimit të plotë me Shqipërinë dhe më vonë këtë muaj Tirana do të nisë diskutimet me bllokun për mënyrën se si vendi përputhet me qëndrimet e BE-së për sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit.
/Liberale.al/