Ervin Salianji, ish-deputeti i PD-së, i cili po vuan dënimin në burgun e Fierit, ka reaguar lidhur me protestën e sotme të banorëve të Pajovës, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pak ditë më parë, ku një fëmijë 8 vjeçar humbi jetën pasi u godit nga një automjet.
Protesta synonte sensibilizimin e autoriteteve shtetërore për marrjen e masave urgjente për vendosjen e sinjalistikës rrugore, vendosjen e kufizuesve të shpejtësisë, ndërtimin e trotuareve, të mbikalimit, vendosjen e tabelave me kufizim shpejtësie dhe të kamerave.
Ndërkohë në reagimin e tij, Salianji shprehet se jeta në këtë vend është zhvlerësuar në të gjithë territorin e tij dhe dhjetra shqiptarë po humbin jetën në aksidente tragjike apo nga plumba që vërshojnë rrugëve nga përplasjet e krimit.
Njoftimi zyrtar
Reagim nga kabina telefonike e burgut të Fierit për një shqetësim jetik të banorëve të Pajovës në Peqin!
Ervin Salianji ka përcjellë përmes medias, protestën e banorëve të Pajovës pas ngjarjes tragjike të humbjes së jetës në rrugë nga një 8 vjeçar!
Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen tragjike të djalit të tyre, Salianji ka shprehur solidaritet të plotë me kërkesat legjitime të komunitetit të banorëve.
Sipas tij, jeta në këtë vend është zhvlerësuar në të gjithë territorin e tij dhe dhjetra shqiptarë po humbin jetën në aksidente tragjike apo nga plumba që vërshojnë rrugëve nga përplasjet e krimit.
Salianji kërkon reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit për vendosjen e tabelave, mbikalimeve dhe të gjithë infrastrukturës së nevojshme për të dhënë garanci për sigurinë e jetës së këtyre banorëve!