Prapaskenat e Tiranës i dhanë fund me shumë gjasa karrierës politike të Ervin Salianjit, pas shtatë vitesh si deputet i Partisë Demokratike, duke e shtyrë atë, drejt honesh dhe qasjesh që kurrë s’do i kishte çuar në mend më parë. Dënimi me një vit burg dhe gjithë pasojat që sjell vendimi përfundimtar i Gjykatës së Apelit, i heqin atij karrigen e deputetit dhe shumë angazhime të rëndësishme në Partinë Demokratike, partinë më të madhe të opozitës.
Kryedemokrati Sali Berisha i kishte besuar atij udhëheqjen e betejës për qarkun e Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, edhe pse ishte qarku i Korçës që e nxori deputet, madje si më të votuarin mes demokratëve me 9,420 vota.
Ajo çfarë e ka karakterizuar Salianjin më shumë se çdo gjë tjetër në skakierën politike të së djathtës, mund të thuhet se është guximi. Ajo çfarë e bëri protagonist dhe shënjestër të kundërshtarëve ishte dhe identifikimi me të ashtuquajturën çështja ”Babale”. Ajo çështje filloi në pranverën e vitit 2018, dhe për ata që s’e mbajnë mend ngjarjen, akuza ndaj tij është se publikoi një përgjim ku implikohej vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agroni, se jo vetëm i fshihej një dënimi të mëparshëm në Itali, por edhe vazhdonte trafikun nën mbrojtjen e pushtetit.
Ngjarja që bëri bujë publikisht përmes nofkës së njërit prej protagonistëve të saj, “Babale-s”, e tronditi imazhin e pushtetit që ende se kishte marrë veten nga skandali i Saimir Tahirit. Agron Xhafaj u detyrua që brenda natës të udhëtonte për t’u dorëzuar në Romë, madje pa i’u nënshtruar as provave të zërit, ndërsa Rama dhe ministri i tij i brendëshëm deklaruan, disa herë me radhë, se një agjensi e shquar inteligjence ka provuar se i ashtuquajturi përgjim është një manipulim.
Pas verifikimit të fakteve, në dhjetor të vitit 2019, Ervin Salianji u dënua me një vit burg nga Gjykata e Tiranës për dosjen “Babale”, me akuzën e kallëzimit të rremë. Ky vendim, pas pesë vitesh betejë ligjore, mbeti në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.
Pak orë pasi Gjykata e Apelit vendosi për dënimin e tij, Salianji shigjetoi ashpër, sipas tij, arkitektin e dënimit, ish-ministrin socialist Fatmir Xhafaj, duke theksuar se nuk ka qenë dhe as nuk është hetues apo prokuror i komunizmit dhe, as i kapur nga krimi e llumi. Një vendim i tillë nga Apeli, nuk mund të mos jetë i lidhur me një zinxhir pasojash dhe disa prej tyre mund të jenë qartësisht të dukshme. Në radhë të parë Ervin Salianji del nga kjo histori si një lloj heroi i PD-së, një status ky i merituar në sajë edhe të denoncimeve të tjera shumë të guximshme të bëra prej tij.
Nga ana tjetër, për mënyrën si u zhvilluan gjërat, një dënim i tillë, hedh hije dyshimi mbi mazhorancën, duke pasur parasysh edhe akuzën për dirigjim të drejtësisë. Sot, është e qartë që një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik, e cilësojnë këtë, si një vendim politik të marrë nga mazhoranca. Shqipëria përmes këtij vendimi bën pjesë në një kategori të vogël vendesh ku opozita dënohet. Edhe në skenarin ku do të ishte shpifje, ekzistojnë mekanizma të tjerë dënimi, përveç burgut. /Liberale.al/
PROTAGONISTI I DITËS/ Salianji, viktimë e kulisave të Tiranës
Liberale Newsroom
Poll