Politikë

PROTAGONISTI i DITËS/ Ngrirja dhe shkrirja e Fredi Belerit në Shqipëri

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROTAGONISTI i DITËS/ Ngrirja dhe shkrirja e Fredi Belerit në

Natën e 12 majit në Himarë, sapo kishte kaluar mesnata, pra, në atë qytet të vogël të rivierës shqiptare, u takuan tre burra në një kafane. Njëri ishte Fredi Beleri, një kandidat etnik grek për postin e kryetarit të bashkisë në zonë. Të tjerët, ishin Pandeli Kokaveshi, bashkëpunëtor i Belerit dhe një shtetas tjetër shqiptar, i cili i tregoi autoriteteve për blerjen e votave, duke pranuar se ishte i infiltruari i prokurorisë. Dy ditë më vonë, në vend do mbaheshin zgjedhjet lokale.

Në pak kohë, policia shqiptare arrestoi Belerin dhe bashkëpunëtorin e tij, Kokaveshin, me akuzën e blerjes së votës. Dy ditë pas arrestimit, Beleri u bë kryebashkiaku i parë në Shqipëri që zgjidhet në paraburgim.

Paraburgimi i Belerit provokoi ndërhyrjen e ministrit të Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, dhe zëvendëspresidentit grek të Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, të cilët kërkuan lirimin e Belerit, duke vënë në pikëpyetje anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Më 13 gusht, vendasit dolën në rrugë në Himarë për të protestuar kundër paraburgimit të Belerit, duke thënë se ai është një kryetar bashkie i zgjedhur me të drejtë. Mediat lokale në Shqipëri thanë se partia greke “OMONIA” organizoi protestën me kryebashkiakët e Athinës dhe Selanikut të pranishëm në tubim.

Megjithatë, gjatë samitit të fundit të BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, kryeministri grek Mitsotakis paralajmëroi se vendi i tij mund të vinte veton për hapjen e kapitujve të negociatave mes Brukselit dhe Shqipërisë. Ky ishte një qëndrim i pandryshueshëm i Athinës që kur Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ndodhej në qeli.

Prokuroria e akuzoi Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar bashkëpunëtorit të policisë, Arsen Rama, 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. I ndodhur përballë këtyre kërcënimeve kryeministri Rama ka bërë indiferentin. Madje i pyetur në Real Story nëse mund të pengoheshin negociatat ai u përgjigj me ironi: “Po u penguan për Belerin nami u bëftë”.

Pavarësisht retorikave të ndërsjellja agresive dhe ironike me raste, kryeministri shqiptar e kishte një plan për të qetësuar Athinën zyrtare, e cila kërkonte në të gjitha nivelet e mundshme që Belerit t’i jepet mundësia për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, gjë e cila iu refuzua në mënyrë kategorike nga pala shqiptare.

Marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe nevoja e përmirësimit të tyre, jo vetëm në dobi të dy vendeve, por gjithë rajonit, ishin në qendër të një fjale të gjatë që kryeministri Edi Rama mbajti në Athinë përpara mijërave emigrantëve shqiptarë, duke e vlerësuar kryeministrin aktual grek Mitsotakis, si “bashkëbiseduesin më të hapur në këto 10 vite” të marrëdhënieve politike mes Athinës dhe Tiranës.

Siç duket kryeministri Edi Rama e kishte kuptuar më bukur se askush tjetër rëndësinë e një emigracioni të gjatë dhe të vështirë prej tre dekadash të shqiptarëve në shtetin grek dhe në fakt nuk ishin pak, por rreth 200 mijë shqiptarë që kishin të drejtë vote në Greqi, pa përmendur faktin që në gjithë fjalimin e tij, boshti kryesor i tij, ishte barazia mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, kryeministri grek, kishte në dorë edhe gurin edhe arrën. Fredi Beleri, një person i çfarëdoshëm ishte shndërruar për qytetarin e rëndomtë dhe të zakonshëm grek në një hero të helenizmit në Shqipëri. Të dy kryeministrat po luanin me të, “topa luftash”, njëri hedh, e tjetri prit. Mitsotakis shkoi akoma edhe më larg, duke emëruar si kandidat të Partisë Demokracia e Re në zgjedhjet e Parlamentit Europian; Fredi Belerin.

Ai u rendit i katërti mes shtatë eurodeputetëve grekë.

Rregullorja e Parlamentit Europian e kërkonte që pas rezultateve të zgjedhjeve zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlament dhe presidenti, në anën tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për t’i shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës.

Nisur nga kjo rrethanë, drejtori i Burgjeve, miratoi kërkesën 5-ditore për Belerin, në mënyrë që ai të bënte paraqitjen e parë si deputet i PE-së. Beleri doli nga burgu i Fierit dhe u prit nga familjarët në dalje të burgut dhe më pas iu drejtua aeroportit të Rinasit, me një makinë të ambasadës greke. Udhëtoi drejt Athinës, ku u takua dhe me kryeministrin grek Mitsotakis dhe më pas u nis drejt Strasburgut.

Fredi Beleri u lirua sot nga qelia, pasi Gjykata e Fierit, pranoi kërkesën e avokatit për lirim me kusht, pas tri seancash të dështuara. Pas dy orësh qëndrimi në Gjykatën e Fierit, trupi gjykues ka vendosur për lirimin me kusht të Fredi Belerit, i cili ka edhe gjashtë javë deri në përfundimin e dënimit.

“E pranoi kërkesën gjykata, urdhëroi lirimin para kohe, i mbeteshin  edhe 6 javë, respekte për gjykatën, lirimi para kohe me kusht, dy muaj i kishin mbetur. Pronari që i ka çelësat e burgut dha leje pas zgjedhjeve që të dali”, tha avokati i Belerit, Geni Gjyzari.

Ai është dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Fier për përfundimin e procedurave të nevojshme dhe më pas do të lirohet gjatë pasdites./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH