Politikë

PROTAGONISTI I DITËS/ I "përkëdheluri" i Ramës përfundon në SPAK

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROTAGONISTI I DITËS/ I "përkëdheluri" i Ramës

Erion Veliaj përtej emrit dhe imazhit të tij publik, gjithnjë të kuruar mirë nga ai vetë dhe njerëzit që mban rreth vetes, nuk ka arritur dot t’i shpëtojë rrjetës së SPAK. Ai është modeli i politikanit që e kërkon më shumë se askush tjetër protagonizmin. Ky i fundit është një nga manitë e tij më të mëdha. Është komunikues i mirë dhe i pëlqen të jetë popullor, madje në shumë raste shkon deri në falsitet.

Veliaj arriti të skalisë jo pa vështirësi portretin e një të riu energjik që s’do të ngelet mbrapa dhe që është gjithnjë i gatshëm të përdoret nga Edi Rama, në funksion të pushtetit të Ramës, por edhe të vetë karrierës së tij. Ai ka treguar se di të vendosë marrëdhënie të veçanta me mediat, për shkak edhe të protagonizmit që prodhon përmes marrëdhënieve me publikun. Por edhe përmes manovrave të ndryshme, ia ka dalë shpesh që të neutralizojë kritikat e medias për performancën e tij.
 
Në Partinë Socialiste shumë njerëz nuk e duan sepse e shikojnë si pasuesin e Edi Ramës, si benjaminin e tij politik, që pas zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë së Tiranës, automatikisht etiketohej si njeriu i dytë më i pushtetshëm i socialistëve. Ai nuk ishte domosdoshmërisht kandidatura më perfekte që mund të zëvendësonte Edi Ramën në krye të Partisë Socialiste, por pavarësisht zërave që thuhej, me shumë gjasa, ishte njeriu që i jepte më shumë se askusht tjetër siguri kryeministrit si zëvëndës i tij.
 
Erion Veliaj është akuzuar politikisht disa herë për korrupsion. Fillimisht për abuzim me fondet e lëvizjes “Mjaft”, për të përfunduar tek megaskandali i inceneratorëve dhe dosja e famshme 5D. Njëzetë ditë pasi SPAK e mori në pyetje, duket se Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim pasuror kundrejt kryebashkiakut të Tiranës. Ndonëse në ligj nuk është e specifikuar me praktikën e deri tanishme, hetimi pasuror fillon vetëm pasi personat kalojnë nga ata që kanë djeni për ngjarjen në statusin e personit të marrë nën hetim. SPAK nuk e ka konfirmuar këtë të dytën, por gjithësesi duket se rrethi ndaj Veliajt po ngushtohet.

Në shkresën e SPAK thuhet se “Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka regjistruar procedim penal”. Nuk është e qartë, nëse ky procedim penal ka nisur drejtpërdrejt me emrin e Erion Veliajt apo ai po hetohet si pjesë e dosjes së inceneratorëve, apo asaj 5D. Nga emri i prokurorit Dado që ka nënshkruar kërkesën për hetim pasuror, nuk kuptohet mirë nëse kjo po kryhet në kuadër të dosjes për djegësin e Tiranës apo në kuadër të skandalit 5D të drejtorëve të bashkisë.

Më 30 mars Erion Veliaj u pyet për më shumë se 8 orë në SPAK për çështjen e inceneratorit të Tiranës për tre çështje kryesore, për shkresat dërguar ministrave të financave si nismëtar i inceneratorit, për shkresën e famshme, kur pasi i mohohet nga ministria e financave, Veliaj merr personalisht angazhimin financiar për ndërtimin e inceneratorit si dhe për enigmën e depozitimit të dherave, që i kanë dhënë mundësi bosëve të inceneratorëve të përfitojnë rreth 60 milionë euro shtesë nga intertet që depozitonin aty, ata që hapnin gropa ndërtimi në Tiranë. 
 
Dera e SPAK nga përvoja ngjason më shumë se asgjë tjetër me derën e madhe që shkohet për FERR, ku futesh pa kthim pas. Edhe pse nuk dihet ende sa e gatshme do jetë Partia Socialiste që ta mbajë mbi shpinën e saj njeriun që prej vitesh, me kast apo jo, shpinën e saj e ka ngatërruar gjithmonë me kurrizin e një kali./Liberale.al/
 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH