Më shumë se një luftë e drejtësisë së re ndaj korrupsionit qeveritar, arrestimi i kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi po lexohet si një luftë klanesh brenda Partisë Socialiste.
Edhe pse prej kohësh e gjithë vëmendja e debatit publik dhe politik është fokusuar tek përplasjet në Partinë Demokratike, situata nuk duket aspak e qetë edhe në maxhorancën socialiste.
Në një studio televizive dy vjet më parë, ishte gazetari Baton Haxhiu, i njohur në opinionin publik shqiptar për lidhjet e ngushta me krerët më të lartë të politikës në vend dhe në mënyrë të veçantë për lidhjet me kryeministrin Edi Rama, i cili deklaroi se defekti i Partisë Socialiste vjen nga pasojat e qeverisjes 2017-2019 dhe Kongresi i saj pas fitores së PS.
Haxhiu mendonte se të qeverisësh vetëm për katër vite, nuk do të thotë asgjë tjetër, veçse të harrosh rolin e opozitës në shoqëri, të harrosh konkurrencën dhe kontrollin. Ai ishte i mendimit se mungesa e faktorit opozitar në skenën politike të vendit, e rrezikonte më shumë mazhorancën, pasi lufta brenda llojit jo vetëm evidentohej, por bëhej akoma edhe më e ashpër.
Me sa duket koha i dha të drejtë atij, pasi sot brenda maxhorancës absolute ka më shumë luftë brenda llojit, se sa me kundërshtarin, për arsyen e thjeshtë se ndihen më shumë komod pas përçarjeve në PD.
Ajo çfarë duket, në pamje të parë, se i ka hedhur më shumë benzinë zjarrit ishte lëvizja e bujshme e kryeministrit Rama për të promovuar Belinda Ballukun si figurën numër dy në selinë rozë, një lëvizje e cila aktivizoi klanet brenda forcës më të madhe politike në vend. Mediat në atëkohë shkruan se pas këtij pozicionimi të Ballukut në PS klanet që u aktivizuan ishte ai i kryebashkiakut Veliaj dhe ish-kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Një panoramë e ngjashme politike, edhe pse ka aromën e një konspiracioni trollesh të rrjeteve sociale, nuk mund të mos ketë diçka reale, në mungesë totale të kundërshtarit politik dhe për shkak të një boshllëku të tillë, nevoja për ta mbushur, krijon beteja të ashpëra për sa më shumë pushtet brenda të njëjtës familje politike.
Atëherë, nisur më shumë nga këto detaje, që edhe mund të mos jenë reale, duket se lufta e fortë që po bëhet në prapaskenë dhe veçanërisht në emër të SPAK, po shpërthen “ujërat e zeza” nga nëntoka dhe pavarësisht buzëqeshjeve të sforcuara para kamerave dhe tentativave për t’iu paraqitur publikut shqiptar të harmonizuar me njëri-tjetrin, lufta brenda PS-së, jo vetëm që është reale dhe ekziston si fakt, por pas syve të shqiptarëve, ajo gjallon me intrigat e zakonshme, të shëmtuara, me egërsinë që ka lufta brenda llojit, me thikat pas shpine, me diskreditimet publike dhe vizitat në burgje.
E tillë ishte lufta për Incineratorin e Tiranës, ku ish-numri dy i qeverisjes socialiste është arratisur nga vendi si pasojë e hetimit të SPAK për këtë aferë, por që Ahmetaj e konsideron më shumë se gjithçka tjetër si lobim të klaneve brenda maxhorancës socialiste në Prokurorinë e Posaçme, se sa një hetim i pavarur i kësaj strukture.
Dakord!
Por, nëse do i mëshonim shumë kësaj historie, pavarësisht tendencës për t’u treguar të vërtetë më faktet, ne nuk do tregonim veçse njërën anë të saj dhe për ta plotësuar atë, do duhej edhe pjesa tjetër e historisë. Pa të cilën s’do të kishte kuptim.
Korriku 2021 mund të futet në historinë e drejtësisë së re, të reformuar në Shqipëri si fillimi i funksionimit të saj dhe i ndëshkimit të “të paprekshmëve” dhe të korruptuarve në nivele të larta. Nga ajo datë dhe deri më sot, SPAK ka proceduar dhe arrestuar rreth 1400 persona./Liberale.al/