Politikë

PROTAGONISTI i DITËS/ Endrit Braimllari, i riu që lindi më para, i riu që lindi më prapa

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROTAGONISTI i DITËS/ Endrit Braimllari, i riu që lindi më para,

Që kur vendosëm të shkruajmë për njeriun që mori deri-diku vëmendjen e medias është e pamundur t’mos ndjenim mbi shpinë vështrimin hulumtues të një vëzhguesi të qetë, i cili jo rrallëherë na çukit pas koke me nyjen e gishtit tregues dhe na thotë: a ju thashë. Fjala është për kapjen në kurth të vetes, pasi vjen një ditë që personazhe krejt mesatar, të yshtur nga loja e ndyrë e militantizmit dhe servilizmit politik, sa hap e mbyll sytë, dalin mbi sipërfaqe dhe ja…, shndërrohen në aktorë kryesorë të jetës shoqërore në vend. Një i ngjashëm është Endrit Braimllari. Ish-deputet i LSI-së, i përjashtuar me dhunë nga Partia e Lirisë, që kur në krye të saj erdhi ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta. Mirëpo, më e keqja e kësaj pune është se ne, duhet të shkruajmë diçka për të. Por, të shkruash për të, apo për këdo tjetër, rregulli e do që vetë ai t’i ketë bërë ca punë në këtë vend. Të paktën të ketë marrë pjesë në Big Brother Albania. Personazhi ynë s’ka bërë asnjërën dhe as tjetrën. Atëherë, nëse nuk ka bërë asgjë dhe as ka marrë pjesë në Big Brother Albania, pse po shkruan për të- mund të ishte një pyetje. E drejtë.

Braimllari i përket fluksit të të rinjve që ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tërhoqi rreth vetes, së bashku me disa të rinj dhe të reja të tjerë, si asete të subjektit të saj politik. Në fakt, fidane të tilla, të parritura dhe të pastërvitura me jetën politike, në vend që të maturoheshin dhe të profilizoheshin, si çdo i ri tjetër në vend, ata u shartuan me larushinë politike të kohës, që më shumë se me dije, u kalitën me servilizëm dhe pragmatizëm politik. Por ata harruan se fidani pasi të rritet me kujdes, si fillim ka nevojë të lulëzojë dhe pasi të ketë lulëzuar mund të prodhojë edhe fruta. Atë dhe shumë të tjerë si ai, nuk e lanë as të rritet dhe as të lulëzojë. E shartuan që fidan.

Nga ana tjetër, Braimllari dhe shumë të tjerë si ai, që nga dita kur futen këmbët në një subjekt politik dhe deri më sot, që po tënton të futet prap në një tjetër subjekt politik, në thelbin e vet, ka vepruar kurdoherë si përfaqësues i interesave të kryetarit dhe as ai dhe askush tjetër si ai, ta ketë çuar qoftë edhe për një moment kokën nga interesat e bazës ideologjike që përfaqësonte. Ai më shumë si individualitet, ka shërbyer si zëdhënës i rolit të kryetarit, duke mos qenë kurrë një forcë kritike ndaj shoqërisë dhe ndaj sistemit politik apo ekonomik në vend. Modelimi i të rinjve si ai në një moshë kaq të re, mund të jetë edhe një nga thembrat e Akilit në shoqërinë shqiptare në përgjithësi, e në veçanti në jetën politike në vend. Rinia, e cila mendohet të sjellë të renë, ndryshimin, idealizmin, moralitetin, goditjen e të keqes nuk e ka bërë këtë as brenda partive politike, por as në hapësirën publike, ku roli dhe protagonizmi i tyre ka qenë, me raste, edhe i tejkaluar dhe i pajustifikuar.

Problemi këtu është se pse ka vlerë një i ri si ai për një nga mediat më të mëdha kombëtare në vend, siç është televizioni Top Channel? Kur prej kohësh, realiteti ka treguar se brenda partive politike shqiptare, pyetja është ngritur dhe nëse vazhdohet kështu, do të ngrihet gjithmonë: “a ka të rinj Shqipëria?”, ku shumë prej atyre që pyesin, në fakt më shumë se pyetje, kanë një rimarrje apo sjellje në kohë të tezës së Faik Konicës, që thotë se “në Shqipëri nuk ka të rinj por ka ca që kanë lindur më para e ca që kanë lindur më prapa”. Ndoshta, me të drejtë, siç thotë Konica në Shqipëri të rinjtë përsërisin të vjetrit. Endrit Brahimllari është një prej tyre.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH