Politikë

PROTAGONISTI I DITËS- Dy pamjet e rikthimit të Sali Berishës në Kuvend

Shkruar nga Reldar Dedaj

PROTAGONISTI I DITËS- Dy pamjet e rikthimit të Sali Berishës

Rikthimi i Sali Berishës në Kuvend, pas njëmbëdhjetë muajsh arrest shtëpie, vazhdon e nuk kuptohet nga mediat dhe simpatizantët e djathtë, entuziazmi i njërës palë dhe hutimi i palës tjetër, tregon se kampet politike s’mundën apo nuk duan ta kuptojnë arsyen e vërtetë të lirimit të kreut të PD-së nga arresti shtëpiak edhe pse ajo është krejtësisht elementare dhe, duke qenë e tillë, duket se i ngatërron me kast palët. Entuziazmi të ngel në dorë, nëse simpatizanti i djathtë e kupton se lirimi i Berishës ka ardhur vetëm pse hetimi përfundoi dhe çështja shkoi në gjykatë. Simpatizanti i majtë, më në fund, bindet se nuk është kryetari i tij Edi Rama, ai që dirigjon drejtësinë e re, por vetë drejtësia, qenka e pavarur nga Edi Rama.

Prania e Berishës sot në Kuvend, zbuloi edhe një argument tjetër akoma edhe më të thjeshtë, që vendimet e SPAK dhe GJKKO-së , pavarësisht konspiracioneve që pillen nga tryezat e ngushta politike, nuk lidhen dhe s’kanë si lidhen me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. E tillë ishte edhe masa me arrest shtëpie e Berishës. Nuk u bë me urdhër të Ramës për të hequr qafe Berishën, por thjesht sepse ky i fundit në mënyrë publike dhe me vetëdije shkeli detyrimin ligjor për paraqitje. Nëse Berisha do e kish respektuar këtë detyrim ligjor, sikurse shumica dërrmuese e shqiptarëve të thjeshtë, atëherë masa e arrestimit në shtëpi nuk do ish dhënë.

Kthimi pas një 11 muajsh i tij në Kuvend, zbuloi edhe një pamje tjetër, për shumë qytetarë: premtime, dëshira të parealizuara, ëndrra të vrara, fjalë të shkelura, mashtrime, por jo vetëm kaq. Aty sheh përpjekje, tensione, ankth, komentim deklaratash, veprime rebeluese, kundërveprime dhe pothuajse gjithë konsumin politik të javës, që çdo ditë e më tepër reflekton afrimin e të zhgënjyerve me skeptikët e mëparshëm, e ndoshta të hershëm të ish-kryeministrit Berisha.

Është një praktikë politike, e cila dekurajon çdo shpresë të bindur që qëndron aty duke pritur çdo ditë përpara ekranit të televizorit, plogështon atë forcë vepruese publike, për ta vënë nën tutelë, nëpërmjet plogështisë dhe thyerjes së kurajës, duke e kthyer kështu në një trup të rrënuar, sakatuar dhe tek i cili vritet çdo impuls që nesër të mos ketë as më të voglën kurajë që të mbledhë forcë e të marrë hov, për t‘u dalë përballë.

Jemi të vetëdijshëm se pështjellimin e sotshëm, nervozizmin e të nesërmes, do e shpjegojnë me pamundësinë për të llogaritur në të ardhmen e afërt vendimin që do marrë GJKKO për rastin Berisha. Askush nuk e di se si do të jetë vendimi i saj apo prova e barrës, por pavarësisht gjithçkaje Sali Berisha, duam apo s’duam ne, arriti të krijojë një fabul, atë që shumë pak vetë e donin: klasa e vjetër politike, pavarësisht kushteve në të cilat ndodhet, do triumfojë. Kaq, mjafton!/Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH