Politikë

PROTAGONISTI I DITËS/ A mund të jetë Belind Këlliçi “trashëgimtari” i Berishës?

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROTAGONISTI I DITËS/ A mund të jetë Belind Këlliçi


Zgjedhja e Belind Këlliçit nga Sali Berisha në krye të Tiranës si drejtues i vetëm politik për këtë qark, ka ngjallur debate jo pak të vogla tek demokratët. Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e kryeqytetit ka marrë besimin e plotë të kreut të demokratëve për të drejtuar fushatën politike për zgjedhjet e përgjithshme të 2025-ës.
 
Zgjedhja e Këlliçit në krye të qarkut më të rëndësishëm të vendit, tregon në radhë të parë se Tirana është edhe një dobësi për demokratët, por mbi të gjitha, vendosja e tij në krye të qarkut aludon se Belind Këlliçi, mund të jetë nesër, personi që do trashëgojë “testamentin” e Berishës për PD - 2030-të.

Ai do të ketë përballë tre emra nga radhët e mazhorancës, duke nisur nga kryebashkiaku aktual Erion Veliaj, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
 
Në fakt, zgjedhje e Këlliçit përballë tre emrave big të PS-së nuk mund të jetë një strategji kaq shumë e gabuar për demokratët, pasi përballja e Këlliçit me ta, duke përfituar edhe nga akuzat që daraviten lart e poshtë, do t’ia lehtësonte punën, edhe pse kjo gjë, në fakt, siç është parë edhe më herët, nuk do të thotë asgjë sa i përket rezultatit zgjedhor.
 
Konsumimi i figurave socialiste si në pushtet qendror ashtu edhe në atë lokal, problemi korrupsionit në Bashkinë e Tiranës, mund të krijojë bindjen se mund ta ndihmonte Këlliçin sa i përket betejës për Tiranën, por në realitet, më shumë ka rezultuar si dëshirë e demokratëve se sa si fakt zgjedhor.
 
Strategjia e mirëmenduar e socialistëve, pushteti i madh dhe i plotë në të gjithë territorin, i ndihmuar shumë nga përçarja e demokratëve, ikja masive e të rinjve nga vendi, përqëndrimi i popullsisë më shumë se kudo tjetër në qarkun e Tiranës, lidhja e pushtetit me biznesin dhe çdo resurs tjetër ekonomik në vend, pa harruar përdorimin e medias televizive, emri i Belind Këlliçit më shumë do jetë një test për Sali Berishën, se sa një formulë suksesi që në të ardhmen e afërt mund të prodhonte edhe një rezultat pozitiv.
 
Emrat e përzgjedhur nga kryeministri Rama si motorë të fushatës elektorale të 2025-ës, tregojnë se PS-ja, partia më e madhe në vend, po synon me vendosmëri mandatin e katërt qeverisës dhe në këtë rrugëtim të saj, plot vrull dhe besim, çdo qytetar që ka mbetur ende në këtë vend, nuk do ta ketë të vështirë ta mendojë se si mund të duket Partia Demokratike e Shqipërisë më pas… /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH