Politikë

PROFILI I JAVËS- Edi Rama i ndërkombëtarizuar

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROFILI I JAVËS- Edi Rama i ndërkombëtarizuar

Përpjekja për të prodhuar një treg ndërkombëtar mediatik të vetes dhe Shqipërisë, në katërvjeçarin e fundit të qeverisjes së tij, është “asi nën mëngë” i Edi Ramës për të fituar madatin e katërt në krye të vendit, por edhe për të mbuluar mungesën e llogaridhënies për dështimet e shumta në politikën e brendshme. Ai ia ka dalë mjaft mirë ta spostojë debatin nga llogaridhënia, e kuptueshme pas 12 vitesh në pushtet, te provokimet e njëpasnjëshme që i shpik edhe aty ku nuk guxon askush tjetër në jetën publike.
 
Shqipëria përfundoi mandatin e saj të parë dyvjeçar si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit, ku vendi ynë punoi së bashku me anëtarët e tjerë, duke luajtur një rol aktiv në ndjekjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Edi Rama bëri punën e tij, duke marrë përsipër më shumë barrë sa mund të mbante, edhe nëse kjo peshë do të thoshte t’u dilej përballë vendeve të mëdha dhe lojtarëve globalë. Mbi të gjitha, Shqipëria arriti të sjelli një zë të fortë dhe të besueshëm në Këshillin e Sigurimit, duke rritur profilin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, duke çimentuar partneritetet tona strategjike dhe duke forcuar pozicionin tonë si një aktor i besueshëm dhe aktiv në rajon, e një aleat dhe partner i besueshëm për Bashkimin Evropian.
 
Vështruar në këtë kontekst, zhvillimi i të parit Samit BE – Ballkan Perëndimor në Tiranë, por edhe i dyti samit që u zhvillua veç pak ditë më parë, duhen lexuar si shprehje e investimit të BE-së në rajon, për shkak të dinamikës së re të krijuar në Europë. Të dy samitet ishin një mundësi e mirë për shtetet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për të shqyrtuar përgjigjen e përbashkët si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë, intensifikimit të dialogut politik dhe politikës së zgjerimit, si dhe forcimit të sigurisë e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja.
 
Zgjedhja e Shqipërisë si vend mikpritës, nuk ishte çështje e rendit alfabetik e as rastësi, por tregues i besimit të palëkundur të partnerëve tanë, për shkak të qëndrimeve të linjëzuara që vendi ynë ka mbajtur në vazhdimësi, si pjesë e familjës euro-atlantike. Përmbajtja e deklaratës së Samitit të Tiranës, në dallim nga ato Sofies, Zagrebit dhe Brdos është një hap përpara, pasi jo vetëm rikonfirmon angazhimin e plotë të BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, por edhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit, bazuar në reformat e besueshme, kushtëzimin e ndershëm e rigoroz dhe meritën individuale, si një proces me interes të ndërsjellë për rajonin dhe BE-në.
 
Për shkak të këtyre dy samiteve, ardhjes së sekretarit të shtetit amerikan dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenski, Shqipëria dhe në daç, vetë kryeministri i saj Edi Rama ishin në ballinën e shumicës së mediave kryesore botërore dhe për një vend të vogël si Shqipëria, pothuajse me dy milionë e ca banorë brenda territorit, pa ushtri, me prodhim minimal vendas, me një PBB shumë modeste, me një nivel demokracie të pakonsoliduar, me konflikte politike dhe shoqërore që vazhdojnë të qëndrojnë gjithmonë pas dere, ekspozimi i një kryeministri në të tillë niveli nuk është një gjë e vogël për karrierën e tij politike, por në fund të fundit, edhe për imazhin e vendit tonë në botë.
 
Edi Rama ka ditur që politikën e jashtme ta shesë si politikë të brendshme, duke çorientuar kundërshtarët dhe opinionin publik, pavarësisht akuzave dhe pritshmërive që këta të fundit kanë për nivelin e qeverisjes së tij. Protagonizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare, përfundimisht, është kthyer në kalin e tij të betejës. Me një qeverisje e cila nuk qeveris më, por thjesht menaxhon pushtetin. Me një pushtet i cili s’ka çfarë ti ofrojë më Shqipërisë pas një konsumimi 12-vjeçar dhe me një SPAK, i cili mund të përbëjë një kërcënim në çdo kohë për pushtetin e tij, duket sikur të vetmin shpëtim Rama po e gjen te ndërkombëtarët dhe te mbështetja që ata i japin. Për një vend si Shqipëria, që e parë nga një perspektivë historike, është parë gjithmonë si kufiri i çdo perandorie, nuk është pak./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH