Politikë

PROFILI I DITËS/ Erion Braçe “opozitari” i vetëm i Kuvendit

Shkruar nga Reldar Dedaj
PROFILI I DITËS/ Erion Braçe “opozitari” i vetëm i

Pa frikë mund të thuhet se Erion Braçe është një nga deputetët e vetëm të Kuvendit të Shqipërisë që bën detyrën e deputetit aty. E kemi parë gjithmonë në terren, duke akuzuar, kritikuar dhe propozuar ligje në favor të qytetarit shqiptar. Herë me të drejtë dhe herë jo. Por është një deputet që reagon, që thërret. Nuk është pak. Kuvendi shqiptar duket si një pavion memecësh, apo me raste edhe një stadium i mbushur me huliganë. Aty flitet pak për ligjet, rëndësinë e tyre apo impaktin pozitiv apo negativ që do kenë në shoqëri. Është njeriu që ka ngritur kauza, ka ngjallur debat dhe ka reaguar edhe kundra familjes së tij politike. 

Në fakt, ai është një politikan karriere i PS-së, deputet i rregullt që nga ’92-shi dhe sigurisht një nga figurat më të spikatura të kësaj force politike. Gjithnjë aktiv në debatin politik, luftarak dhe në shumë raste i hidhur në gjuhë, madje edhe brenda kampit të tij politik.

Protagonizmi i tij u theksua veçanërisht në vitet e fundit të opozitës socialiste para se PS të rivijë në pushtet më 2013-ën, ku ishte pikërisht ai që mbante pozicionin e liderit në çdo seancë plenare, duke denoncuar ato që i konsideronte afera të pushtetit, sidomos tek ai sektor ku shfaqet kompetent: te financat. Denonconte rregullisht marrëveshjet koncesionare, jo si marrëveshje, por si kushte dhe përfitime, e të tjera praktika të kësaj sfere. E bënte këtë duke mbajtur në dorë gjithnjë dokumente, duke i cituar e zbërthyer.

Një moment që la shenjë në karrierën e tij në politikë, përveç dhunës që ka përjetuar në disa raste nga eksponentë të ndryshëm të PD-së, është përlotja e tij teksa fliste në podcastin e gazetares Mira Kazhani, në lidhje me hendekun e madh që po krijohet në Shqipëri, mes atyre njerëzve të thjeshtë e punëtorë, bujkun që kursen çdo qindarkë që të shkollojë fëmijët në shkollë dhe një shtrese shumë të vogël të popullsisë që ka forcën për të imponuar ligje në favor të interesit të saj.

Ashtu është treguar edhe për sa i përket ligjit për lojërat e fatit, i cili pritej të miratohej në seancën e sotme në parlament, por deputetët socialistë janë tërhequr nga nisma në fjalë, për shkak të dhunës që shpërthej nga një grup deputetësh të “Rithemelimit” të Sali Berishës. Nuk kishte asnjë arsye për të dhënë shpjegime, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla tha se socialistët kishin kërkuar tërheqjen e projektligjit nga diskutimi. Për pasojë, votimi u anulua. Edhe më herët, në Komisionin e Ekonomisë, kur deputeti Erion Braçe kërkoi filtra më të fortë kontrolli për ata që do të marrin licencat. Braçe tha se bastet mbeten në duart e krimit ndërsa propozoi edhe mundësinë që fjalën e fundit për miratimin ta japë Prokuroria e Posaçme.

Miratimin përfundimtar për dhënien e licencës për organizimin e lojërave të fatit për deputetin socialist Erion Braçe mund ta japë SPAK.

“Po sikur këtë sistem shtrëngues të verifikimit të të ardhurave për këta që do të organizojnë lojërat e fatit ka ndonjë problem? Ky sistemi i kontrollit për çdo qeveritar, deputet e kështu me radhë ka ndonjë problem?  A ka mundësi që miratimin përfundimtar ta japë SPAK. Më ka rënë në vesh që miratimin e fundit të kazinove e jep FBI”,  tha Braçe.

Edhe më vonë, në mbledhjen e radhës të Komisionit të Ekonomisë për projektligjin për rikthimin e basteve online, Braçe ripërsëriti qëndrimin e tij, duke theksuar se nëse nuk garantohet kontrolli, lojërat e fatit do të bien sërish në dorën e krimit të organizuar.

“Problemet kanë qenë kriminalizimi i këtij sektori dhe prezenca e krimit të organizuar në këtë sektor. Ky ishte shqetësimi im i parë, me çkriminalizimin e këtij sektori. Ishte dhe vazhdon të jetë. Me aq sa ka sjellë ligji unë nuk mendoj se janë të mjaftueshme që ky sektor të çkriminalizohet”, deklaroi Braçe.

Sot, Braçe deklaroi se është kundër lojërave të fatit, duke theksuar se propozimet e tij në Komisionin e Ekonomisë, më kryesoret nuk janë marrë parasysh, duke vënë theksin se mbikqyrja e licencave të monitorohej nga Prokuroria e Posaçme. 

Në kohën kur Qeveria vendosi për rikthimin e basteve online, kryeministri Rama e pranoi personalisht se ky biznes shumë fitimprurës kaloi në menaxhimin e krimit të organizuar. “Është gjynah që kjo veprimtari të zhvillohet nga duar të njerëzve që shkelin ligjin dhe kanë rezultuar me përfitime krejt të paarsyeshme elementë me profil të lartë në krimin e organizuar,” u shpreh kryeministri Rama, kur njoftoi rikthimin e basteve online në fund të gushtit të vitit 2022.

Sipas projektligjit, çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas ose të huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Baste Sportive Online”, duhet të përmbushë kriteret minimale, siç janë: Të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati në kategorinë “Baste Sportive Online”;  Shuma e kapitalit duhet të jetë jo më pak se 1.2 miliardë lekë; Të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë për kategorinë “Baste Sportive Online”; Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të OECD dhe për jo më pak se 3 vjet si dhe të ketë kapacitetet e duhura financiare, administruese, organizative dhe besueshmërinë e aplikantit për t’u angazhuar me sukses në projekte të tilla. Ndërkaq, drafti vendos edhe kufizime të shumta sa i takon reklamimit të basteve sportive.

Në 1 janar 2019 qeveria shqiptare mbylli të gjithë kazinotë elektronike dhe bastet sportive në vend, duke i cilësuar si një “plagë sociale” për shoqërinë. Aksioni i para 4 viteve, “Fundi i marrëzisë”, i ka kushtuar ndjeshëm qeverisë, ndërsa preku drejtpërsëdrejti rreth 15 mijë familje që krijonin të ardhura nga ky sektor.

Në atë kohë funksiononin 3 kompani mëmë të basteve sportive me afro 4200 pika në të gjithë vendin, të cilat u mbyllën fizikisht. Por mbyllja fizike e tyre, ishte fillimi i lulëzimit të një industrie bastesh informale.

Nga 2019 e deri më tani, bastet sportive janë zhvendosur online dhe funksionojnë në mënyrë informale mijëra faqe, ku çdokush përmes një llogarie të hapur përmes internetit mund të luajë normalisht. Dhe duke parë këtë ecuri, qeveria vendosi të zyrtarizojë këtë edhe një herë, duke formalizuar sërish këtë industri, me qëllim që të vjelë të ardhurat e munguara ndër vite.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH