Lindita Nikolla sot s’mund të jetë një grua e zakonshme, fjala bie, si ato gratë e fisshme që shohim jo rrallë në përditshmërinë tonë. Ajo është shumë më tepër se kaq. Është një simbol i qetësisë olimpike në kohë shumë të trazuara politike. Ndoshta pikërisht për këtë, për faktin se ka qëndruar në këmbë në ditë të mira dhe të këqija, sa dëshmitare dhe jo e tillë, ajo sot e di mjaft mirë se çfarë do të thotë të merresh me politikë.
Për të është folur shumë, por mbi të gjitha për kuptueshmërinë në përdorimet e saj të fjalës, edhe pse nuk është lënda e saj. Pavarësisht mendimit se fjalët duhen trokitur, goditur që ato të nxjerrin gjithë të vërtetën. Në të vërtetë, fjalët e saj, nuk krijojnë një botë të tyren, as jetojnë jetën e tyre ndarazi nga ne dhe as nuk është e vështirë të depërtosh tek ato, nëse marrim parasysh se gjendemi përpara një gjuhe ku tregohet e gjithë jeta jonë, e gjithë domethënia, ose të paktën se si duhej të ishte kjo e fundit.
Ajo kishte kohë që po përgatiste një recetë konsensusi në politikën shqiptare, me qëllimin për të dalë shëndosh e mirë të gjithë bashkë në bregun tjetër, matanë dallgëve, ku po lëkundet fati jo vetëm i socialistëve, por i gjithë vendit. Nikolla u mundua t’ia dorëzojë një pjesë të kësaj recete vazhdimisht edhe krahut tjetër politik në Kuvend, por kjo fanepsje e momentit edhe mund të mos ju ketë pëlqyer demokratëve, madje mund t’i ketë indinjuar ata, sepse jo rastësisht, klasa politike shqiptare veçanërisht këto tre vitet e fundit po çudit botën me krizat që pjell, që i rrit, që i zmadhon e, hera-herës, i bën të pazgjidhshme; por që janë kriza që kundërmojnë, që u vjen era në tërë Europën dhe që e kthejnë në një gropë të zezë gjithë Shqipërinë. Ata kanë arsyet e veta për t’i prishur mekanizmat e normalitetit dhe racionalitetit në Kuvend, ndërsa ish-kryetarja e Kuvendit, kishte arsyet e gjithë botës për t’i mbrojtur ato.
Mirëpo, vjen një kohë për të gjithë, herët apo vonë, dhe për këtë është plotësisht e vetëdijshme se çdo rrugëtim, sado bresëlënës të ketë qenë do ta ketë një fund. Ashtu si jeta, që ka një fillim dhe fund, ashtu edhe detyra, edhe karriera e ka një fund. Pas tre viteve në krye të Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla njoftoi në mënyrë të beftë largimin e saj nga posti i dytë më i rëndësishëm në hierarkinë e institucioneve në vend, për arsye shëndetësore. Ajo e mori fjalën pothuajse në fund të seancës maratonë në Kuvend, ku dhe pati një lutje për opozitën dhe kundërshtarët e saj politik, që të mos spekulohej me arsyet e saj të largimit. Dukshëm e prekur, Nikolla tha se gjendja e saj shëndetësore me të cilën po përballet, ia pamundëson asaj vazhdimin e ushtrimit të detyrës në krye të Kuvendit.
Ajo u zgjodh kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më 10 shtator të vitit 2021, me votat e socialistëve dhe, me opozitën që grisi fletët e votimit në sallë në shenjë proteste. Rruga e Nikollës deri më atë ditë nuk kishte qenë kaq e lehtë. Në memorien e qytetarëve një imazh që ka mbetur është çasti kur ajo zbriti nga zyra dhe u përball me studentët e universiteteve publike në lidhje me ligjin e arsimit të lartë. Ai çast, pavarësisht opinionit që mund të ishte krijuar rreth saj, nuk mund të linte askënd pasiv përballë një guximi të tillë, sa çdo burrë i kabinetit qeveritar, pa frikë, ia kishte zili një guxim të tillë.
Kjo grua e hijshme na tregon se koha bymehet jo vetëm nga zbrazëtia, por edhe nga vlimi i pareshtur i ngjarjeve të një tipologjie. Megjithatë, një nyje që herë lidhet dhe herë zgjidhet, duket se i ka zënë frymën, por prapseprap ajo gjen forcën dhe drejton gishtin, duke thënë se reformat e nisura dhe të lëna në mes, ligjet e shkruara dhe të mbetura në letër, institucionet e dizenjuara sipas standardeve europiane, shkurt dhe qartë: ideja e një shoqërie të re dhe demokratike pavarësisht zvarritjeve dhe ngecjeve që ka hasur, sipas asaj, përgjatë këtyre 12 viteve pushtet socialist, kanë ecur, me zor, por kanë ecur./Liberale.al/