Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë, në kuadër të turit 6 ditor në gjashtë shtetet e rajonit. Diplomatja evropiane u prit nga kryeministri Edi Rama, ndërsa më vonë është parashikuar një deklaratë e përbashkët.
Po ashtu, me vizitën e Von der Leyen pritet të zhvillohet edhe ceremonia e hapjes se Kolegjit të Europës në 17:00. Axhenda e Von der Leyen vijon të enjten me një takim me presidentin Bajram Begaj në orën 10:00.
Në 24 tetor Von Der Leyen do të ndalet në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje Hercegovinë. Në Bosnje, ajo do t’i vizitojë edhe zonat e goditura nga përmbytjet e 4 tetorit. Turi i saj do të vijojë më pas më 25 tetor në Serbi ku do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe në 26 tetor kryetarja e Komisionit Europian do të jetë në Kosovë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.