Shqipëria mund të jetë një vend ideal ose strehë e mirë për votuesit amerikanë që janë mbështetës të flaktë të Donald Trump, nëse kandidati i tyre i preferuar humb garën presidenciale.
Varianti europian i medias amerikane “Politico” ka hartuar një listë vendesh, që u rekomandohen mbështetësve të flaktë të të dy kandidatëve rivalë në presidencialet e 5 Nëntorit, si vend destinacione për t’u strehuar larg vendit të qeverisur nga rivali politik i kandidatit të zemrës, e ku klima politike ka arritur nivelin më të lartë të polarizimit ndër dekada.
“Politiko” rekomandon Shqipërinë për ata mbështetës të flaktë të Trampit, të cilët kanë para me thasë. Ata mund të zgjedhin të jetojnë në rivierën shqiptare, aty ku edhe Xhered Kushner, dhëndri i kandidatit republikan ka gati një projekt me vlerë 1 miliardë Dollarë për ngritjen e vilave dhe apartamenteve luksoze në një nga zonat më të bukura të vendit. Në një peizazh të qetë mes detit dhe maleve, riviera shqiptare mund të presë ata dëshirojnë t’i largohen tensioneve politike në SHBA.
Shqipëria rekomandohet edhe për mbështetësit e flaktë por jo të pasur, pasi sipas Politikos, kostot e jetesës janë të ulëta dhe mund të qëndrohet deri në një vit pa lejeqëndrimi.