Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit, duke kërkuar që çdo deputet të deklarojë nëse ka përdorur aplikacion “SKY ECC dhe ENCROCHAT”. Iniciativa ligjore e opozitës vjen pasi në hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese evropiane, ka rezultuar se gjuha shqipe është gjuha e dytë më e përdorur në aplikacionet e enkriptuara SKY ECC dhe ENCROCHAT, me rreth 16 mijë përdorues shqiptar.
Hetimet kanë zbuluar se përdorues të këtyre aplikacioneve nuk kanë qenë vetëm anëtarë të grupeve kriminale, me shtrirje ndërkombëtare, por edhe funksionarë të lartë publik shqiptar, duke përfshirë funksionarë të Policisë, organeve të drejtësisë, pushtetit vendor dhe qendror.
“Hetimet kanë zbardhur komunikimet e një deputeti të Partisë Socialiste me grupe dhe eksponentë të krimit të organizuar. Nga të dhënat e përftuara nga këto komunikime ka rezultuar se eksponentë të krimit të organizuar kanë ndërhyrë në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste për të përcaktuar pozicionin e këtij deputeti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste dhe për të siguruar vota në bashkitë Durrës dhe Shijak, me qëllim zgjedhjen e tij. Deputeti nga ana e tij ka siguruar të dhëna sekrete dhe ka ndërhyrë në organet e drejtësisë me qëllim favorizimin dhe moskapjen e eksponentëve të krimit të organizuar”- thuhet në relacionin shoqërues.