Politikë

"Partia Demokratike s'do ta lejojë"/ Basha: Ka një plan diabolik kundër të vetmes shpresë të këtij vendi, SPAK

Shkruar nga Liberale

"Partia Demokratike s'do ta lejojë"/  Basha: Ka një

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të mërkurën deklaroi se vendi ndodhet para një përpjekje sa absurde aq edhe tinëzare të mazhorancës dhe një pjese të opozitës shqiptare për të ndërtuar dy struktura paralele në dëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Basha tha se me të njëjtin zell siç ndërtohen dhe financohen strukturat paralele në veri të Kosovës, po ndodh edhe këtu, por është e pakuptueshme kur kjo ndodh në një vend i cili ka detyrime të qarta të veprojë, detyrime të cilat nuk po i zbaton, detyrime karshi qytetarëve të vet, detyrime karshi aleatëve të vet, detyrime ndaj të sotmes dhe të nesërmes së vendit, detyrime ndaj sigurisë kombëtare.

Struktura e parë paralele që është paalajmëruar që në janar është një komision monitorimi për SPAK-un. Ka ngritur sërish kokë kjo ide mbrëmjen apo ditën e djeshme dhe vazhdon të qarkullojë me kokëfortësi si një përpjekje absurd anti-kushtetuese, për të vendosur nën kontroll politik të vetmen instancë e cila duket se është pjesërisht jashtë kontrollit të qeverisë. E kanë bërë në një mënyrë tinëzare, e kanë hedhur njëherë poshtë rrogozit, e pastaj janë përpjekur ta zhbëjnë, është tërhequr lajmi nga disa portale, ka mbetur në disa të tjera”, tha ai.

Sipas tij, Partia Demokratike qëndron fuqimisht kundër çdo përpjekje të kësaj mazhorance, me çfarëdo lloj aleatësh të fshehur apo jo, në Pazar apo jo për të filluar presionet e hapura institucionale kundër SPAK-ut.

Ai thekson se struktura tjetër paralele është në Parlament për të zëvendësuar Komisionin Bipartizan të Reformës Zgjedhore.

"Një strukturë memece, sekrete, e paaksesueshme nga media. Ndërkohë që ka hyrë prilli dhe efektivisht kemi më pak se dy muaj kohë nga nisja e fushatës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse ato mbahen në afatet e përcaktuara të kodit zgjedhor, pas pazarit mes palëve për të prishur Komisionin e Reformës Zgjedhore, nuk ka asnjë transparencë në raport me arritjet e deritanishme", e etiketon kreu demokrat, ndërsa thekson se ka një strukturë paralele që duket qartë se mision të vetëm ka çuarjen deri në fund të pazarit, që do të thotë mbajtjen në fuqi të marrëveshjes famëkeqe të Kushtetutës së 2008-ës dhe një komplot kundër votës së shqiptarëve, duke u mohuar shqiptarëve listat e hapura, duke u mohuar çdo debat, e lë më të riparim të shkeljes flagrante të Kushtetutës me pabarazinë e votës.

Basha thotë se një pazar i tillë i fundos shpresat e shqiptarëve jashtë vendit për të marrë pjesë aktivisht në demokracinë shqiptare, duke skaduar me qëllim, ditë pas dite, afatet për votimin elektronik dhe numërimin elektronik.

“Mos të përfitojnë subjektet e SPAK-ut dhe të përfitojnë të gjithë protestuesit”.

Këto janë dy kushtet që PD zyrtare sipas kryedemokratit Lulzim Basha do të votonte amnistinë penale.

Sipas Bashës, hapi i parë që e zgjidh këtë është heqja dorë nga propozimet që u futën “tinëzisht” për të përfituar zyrtarët e korruptuar.

Së dyti, ai ka kërkuar futjen e propozimeve të PD-së për t’u përfshirë në amnisti protestuesit.

Më herët, ishte Grupi Parlamentar i Rithemelimit, Gazment Bardhi që bëri me dije se kanë mbështetur miratimin e amnistisë penale, duke vendosur tre propozime të reja.

Gjithashtu në konferencë, Basha u ndal edhe tek Komisioni për Dezinformimin që do të ngrihet me kërkesë të mazhorancës në Kuvend.

Ai u shpreh se kjo është shashkë për të humbur zhurmat e arrestimeve të drejtorëve të bashkisë Tiranë dhe të ministrave.

“PD është e para kundër influencës ruse. PD është e para që e kemi provuar çdo të thotë fushatë dezinformomi me 50 mijë mesazhe në fushatë për të goditur kryetarin. PD ka dërguar amendamente për strategjinë e sigurisë kombëtare që janë hedhur poshtë. Amendamentet tona për ndihmë ushtarake për Kosovën janë hedhur poshtë. Nuk u dha asnjë shpjegim çfarë është ky Komision i Posaçëm”.

Sipas tij, “kur vjen fjala tek lufta ndaj dezinformimit, parlamenti ka 2 instrumente paraprake”.

“Njëri instrument është Komisioni i Medias tjetri Komisioni i Sigurisë Kombëtare. Ç’nevojë ka për një komision të posaçëm. Nëse ka nevojë për përmirësime në ligj ja ku është Komisioni i Medias dhe Komisioni i Sigurisë. Lojë me shqiptarët. Të bien ministrat dhe drejtorët e bashkisë në burg dhe të hedhim një shashkë”.

Basha theksoi se “ka prej shtatorit që me një sebepe apo një sebep tjetër zvarriten nuk futen në rendin e ditës propozime e Partisë Demokratike që kanë lidhje me këto tema për sigurinë kombëtare, reformën zgjedhore”.

“Projektligji për vettingun e politikanëve nuk futet në rend dite”.

Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka dërguar një kërkesë të drejtpërdrejtë diplomatit të lartë amerikan, James Rubin, në mënyrë që ky i fundit t’i adresohet Kuvendit të Shqipërisë, parlamentarëve shqiptarë dhe të ndihmojë në ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Dezinformimit.

Ky i fundit pritet të votohet në seancën e 4 prillit në Parlament, por gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, u votua vetëm nga mazhoranca për të çuar përpara procesin.

Nga opozita, ngritja e këtij Komisioni nuk u mbështet.

Në këto kushte, Nikolla i ka shkruar një letër Rubinit, duke argumentuar se Shqipërisë i mungon kuadri ligjor për të trajtuar ndikimin e dezinformatave ruse apo kineze./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH