Politikë

Pak orë para zbarkimit në Tiranë, Cameron: Më pak shqiptarë në duart e bandave kriminale! Së bashku ne po forcojmë sigurinë evropiane

Shkruar nga Liberale

Pak orë para zbarkimit në Tiranë, Cameron: Më pak

Pak orë para vizitës së tij sot në Tiranë, sekretari i Jashtëm i Britanisë, Davis Cameron deklaroi se partneriteti me Shqipërinë po jep rezultat për dy popujt, si edhe në trajtimin e emigracionit të paligjshëm.

Cameron tha për mediat britanike se mbërritja e anijeve me emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria në Britaninë e Madhe ra me 90% për vitin që lamë pas, duke iu referuar kështu marrëveshjes së arritur mes dy vendeve.

Mes të tjerash ai tha se fokusi ngelet te forcimi i partneritetin përmes lidhjeve tregtare, por edhe duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Partneriteti ynë me Shqipërinë po jep një rezultat si për njerëzit tanë, ashtu edhe për të luajtur një rol kyç në trajtimin e migracionit të paligjshëm.

Mbërritjet e anijeve të vogla nga Shqipëria në Britaninë e Madhe ranë me mbi 90% në vitin 2023, që do të thotë se më pak shqiptarë po bien në duart e bandave kriminale dhe po bëjnë kalime të rrezikshme në Kanal.

Së bashku ne po forcojmë partneritetin tonë, po forcojmë sigurinë evropiane, duke investuar në gjeneratën e ardhshme të të rinjve, duke ndërtuar lidhje tregtare dhe duke trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar për të siguruar që ne të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për vendet tona.”, tha ai.

Pas një rritjeje në vitin 2022 të numrit të shtetasve shqiptarë që mbërrinin në Britaninë e Madhe me varka të vogla, qeveritë e të dy vendeve arritën një marrëveshje për të punuar së bashku për të parandaluar njerëzit të bënin udhëtimin.

Kjo përfshinte vendosjen e stafit të Forcave Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar në aeroportin e Tiranës, shkëmbimin e oficerëve të lartë të policisë dhe krijimin e një grupi të përbashkët pune për migracionin.

Ka të ngjarë që kjo të ketë kontribuar në një rënie prej 93% të shqiptarëve që kalojnë Kanalin, nga 12,658 në 2022 në 922 nga 1 janari deri më 29 nëntor 2023.

Sipas marrëveshjes së kthimit, Mbretëria e Bashkuar ka larguar 26,000 njerëz gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë afro 6,000 shqiptarë, tha FCDO.

Në fillim të këtij muaji, Britania i dorëzoi Shqipërisë në vlerën e 1.6 milionë paund kamerave dhe dronëve në një përpjekje për të kapur bandat e trafikut të njerëzve përmes kanalit të Suezit.

Por numri i emigrantëve që mbërrijnë në MB ka vazhduar të rritet pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të frenuar kalimet.

Shifrat e përkohshme të Zyrës së Brendshme tregojnë se 9,874 njerëz kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2024 deri më sot pasi kanë bërë udhëtimin nga Franca – një rekord i ri për pesë muajt e parë të një viti kalendarik.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron do të zhvillojë këtë të mërkurë një vizitë zyrtare në Tiranë.

Burime nga Kryeministria, konfirmuan për "Ora News" dhe detaje të vizitës së sekretarit Cameron në vendin tonë. Sipas burimeve mësohet se pritja në Kryeministri do të zhvillohet në orën 12:00, teksa konferenca e përbashkët për mediet me kryeministrin Edi Rama do të mbahet në orën 12:50.

“Ditën e nesërme (SOTME), Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim me sekretarin e Jashtëm britanik, David Cameron. Pas takimit, Rama dhe Cameron do të zhvillojnë konferencë për shtyp në orën 12:50 te biblioteka, Cod”, njofton Kryeministria.

Ndërkohë Presidenca ka njoftuar se Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe pritet të takohet me Presidentin Bajram Begaj në ora 14:30.

“Presidenti Begaj do të presë ditën e mërkurë, date 22 maj, ora 14.30 Sekretarin Britanik të Shtetit për Çështjet e Jashtme, Lordin David Cameron”, njoftoi dje Presidenca.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Cameron do të takohet edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Po ashtu, mbi vizitën e Cameron në Shqipëri ka zbardhur detaje edhe Ambasada britanike në Tiranë. 

Ambasada njofton se Cameron do të prezantojë një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit.

Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.

Sekretari i Jashtëm do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, si dhe ofrimin e ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare, për axhendën e tyre të reformës”, njofton ambasada britanike.

Sakaq, Tirana është veshur me ngjyrat e flamurit të Britanisë së Madhe për t’i dhënë mirëseardhjen Lordit Cameron, ndërkohë tek godina e korpusit të Universitetit të Tiranës është vendosur portreti i tij me mbishkrimin “Welcome” (Mirësevjen).

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH