Politikë

NGJARJE HISTORIKE/ 83-vjet nga themelimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, aty ku u eliminuan të gjithë veç liderit të saj

Shkruar nga Liberale

NGJARJE HISTORIKE/ 83-vjet nga themelimi i Partisë Komuniste të

8 nëntor 1941, dita e themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Kjo vepër i përket realizmit socialist në Shqipëri.
Piktura është realizuar nga Shaban Hysa, viti 1974.
Partia Komuniste më vonë u quajt Partia e Punës dhe në vitin 1991 ajo u shkri për t’i lënë vend reformimit në një sistem tjetër, duke marrë emrin Partia Socialiste e Shqipërisë, partia që është aktualisht në qeverisjen e vendit.

Sipas një artikulli të New York Times, Partia Komuniste e Shqipërisë u formua më 8 nëntor 1941 nga dy emisarë jugosllavë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç, të cilët e drejtuan këtë parti deri në fund të luftës.
Pjesë nga artikulli:
Dhe në fakt Partia Komuniste Shqiptare ishte vetëm një degë e partisë komuniste jugosllave, deri në vitin 1948 kur Beogradi u nda nga vendet e Kominform. Partia Komuniste Shqiptare u bë e pavarur pas ndryshimit të saj në Partia e Punës së Shqipërisë.

Në 29 nëntor 1944 Enver Hoxha shpalli Republikën Demokratike të Shqipërisë, pasi ishte konfirmuar si lider i padiskutueshëm dhe organizator i rezistencës. Hoxha ishte arsimuar në liceun francez në Korçë dhe më vonë studioi në universitetin e Montpelier në Francë, ku u prek nga influenca e komunistëve radikalë francezë. Kur u kthye në Shqipëri në 1936 ai dha mësim në liceun francez deri në pushtimin e Shqipërisë në 1939, kur dhe u bashkua me rezistencën. Më tej ai qe kryeministër deri në 1954 dhe më tej drejtues i regjimit.

Nga liderët kryesorë të Partisë Komunistë në formimin e saj në 1941, vetëm Hoxha është gjallë. Megjithëse spastrime të figurave ishin kryer edhe më parë, ajo e fund-vitit 1948 pas prishjes me Jugosllavinë ishte më masive dhe përfshiu rreth 6000 anëtarë partie që u përjashtuan për aktivitete pro-jugosllave. Ministri i Brendshëm Koçi Xoxe që ishte bërë një nga figurat më të fuqishme prej mbështetjes jugosllave, u përjashtua nga partia dhe u ekzekutua në 1949. Në korrik 1954 Hoxha me hezitim pranoi parimin e udhëheqjes kolektive, duke i lënë postin e kryeministrit Mehmet Shehut.

Periudha e ardhshme e fraksionizmit dhe e spastrimeve erdhi në 1955, kur Hoxha u trondit nga qasjet e afrimit të BRSS me Jugosllavinë. Dy anëtarë të Byrosë Politike, Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu u përjashtuan dhe burgosën për promovimin e politikave liberale. Në 1956 Liri Gega, lidere e vjetër e partisë që prej kohës së luftës, u denoncua dhe u pushkatua për “lidhje me organizata të huaja spiunazhi”(supozohet nga Jugosllavia). Spastrimet më të fundit me liderët e partisë ndodhën në 1960, kur Liri Belishova dhe Koço Tashko u shkarkuan nga postet e larta në parti për anësi pro-sovjetike, në kohën kur regjimi po afrohej me Kinën, gjatë konfrontimit në rritje mes saj dhe Bashkimit Sovjetik. Prej atëherë udhëheqja ka qenë e stabilizuar dhe është konfirmuar solidariteti shqiptaro-kinez, duke theksuar karakterin e pavarur të lëvizjes.

Periudhat e spastrimeve kanë përkuar me ndryshimet në sponsorët e huaj të Shqipërisë. Duke u përpjekur të thyejë lidhet e vjetra fisnore të shoqërisë regjimi ka treguar kujdes për organizmin dhe kontrollin ndaj çdo aspekti të shoqërisë dhe të jetës së individëve, duke bërë që një atmosferë policore të mbizotërojë në jetën shoqërore. Numri i madh i informatorëve të paguar dhe të papaguar ka bërë që njerëzit të besojnë se një në çdo gjashtë njerëz është spiun. Shqiptarëve u ndalohen kontaktet e pakontrolluara me të huajt, ndërsa censura e postës, megjithëse më e zbutur se vitet e mëparshme, është ende praktikë e zakonshme.

Në fund të vitit 1970 liderët e partisë ndjeheshin me aq besim në pushtetin e tyre, sa të nisnin një seri ndryshimesh social-ekonomike e politike me qëllim transformimin në një vend modern. Me ndihmën e regjimit kinez Shqipëria i mbijetoi ndarjes me sovjetikët dhe izolimit nga fqinjët armiqësorë. Vendi gjithashtu përfitoi sa mundi dhe nga kapja e fortë psikologjike të krijuar gjatë periudhave të shtypjes, për të nisur një periudhë zgjimi kombëtar.

Prej vitit 1966 regjimi është mbështetur në apelin ndaj ndjenjës së patriotizmit shqiptar për të frymëzuar masat ndaj programeve social-ekonomike dhe goditjeve ndaj besimit fetar. Fushata e dhunshme anti-fetare e 1967 u bazuar në citatin e Hoxhës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Në skenën kulturore të vendit kërkoheshin vetëm shembuj frymëzimi, heroizmi e vetë-sakrifice.

Marrëveshjet ekonomike me Kinën të negociuara në 1968 dhe më vonë në 1970 parashikonin përfitime të mëdha por të papublikuara në formë ndihmë për zhvillimin ekonomik nga 1969 deri në 1975.

Ashtu si në vende të tjera komuniste, avantazhet e ekonomisë së centralizuar janë prishur nga përdorimi i keq ose shpërdorimi i burimeve.
Regjimi komunist krijoi për herë të parë në historinë e Shqipërisë programet e sigurimeve shoqërore dhe të mbulimit shëndetësor për punëtorët, pagesat e paaftësisë, lejen e lindjes dhe kopshtet e fëmijëve. Komunistët arritën gjithashtu të përmirësonin arsimin, me shkolla falas nga kopshti deri në universitet. Ndërsa ata që konsideroheshin anti-komunistë merrnin vetëm arsimin bazë. Popullsia jo-analfabete tashmë arrinte në 75 % në 1970, në kontrast të thellë me rreth 80 % analfabetë në vitin 1939. Por në sistemin arsimor mbizotëron indoktrinimi me ideologjinë komuniste dhe besnikërinë ndaj shtetit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH