Politikë

NGJARJA E DITËS/ Një grua merr Himarën nën ‘bekimin’ e opozitës dhe dy burra në qeli!

Shkruar nga Liberale

NGJARJA E DITËS/ Një grua merr Himarën nën

Blerina Balaj mori drejtimin e Bashkisë Himarë ditën e sotme në orën 16:00. E preferuara e PS-së dhe e Blendi Klosit, siç pritej, u prezantua zyrtarisht pasdite nga vetë drejtuesi politik i qarkut Vlorë.

Ajo u emërua në këtë post, pasi Jorgo Goro u arrestua me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. Siç dihet edhe Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, është në qeli nën akuzë për blerje votash. Dhe pas dy të arrestuarve, një nga radhët e opozitës dhe tjetri nga maxhoranca, një grua ka marrë drejtimin e qytetit bregdetar, që kohët e fundit  ka krijuar edhe konflikte politike mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë.

E zgjedhur mes tensioneve

NGJARJA E DITËS/ Një grua merr Himarën nën

Tensionet ndodhën pasi disa mbështetës të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili ndodhet në burg, hynë në ambientet e sallës ku po zhvillohej mbledhja e këshillit në Bashkinë e Himarës, duke kundërshtuar praninë e përfaqësuesve të PS-së dhe Prefekturës së Vlorës.

Në lidhje me zgjedhjen e Balës ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në rrjetet sociale ka shkruar se zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak i Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore.

"Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat dhe nevojat legjitime të popullit të Himarës", ka shkruar Rama.

Vendimi i Këshillit Bashkiak i cili përbëhet nga 21 këshilltarë, vjen pas disa zhvillimeve që lidhen me arrestimin e Belerit dhe kryetarit që ishte në detyrë në Bashkinë e Himarës, Jorgo Goro.

Goro u arrestua më 23 mars 2024 i dyshuar sipas autoriteteve për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës", ndërkohë pas arrestimit ai dha dorëheqje nga posti i kryetarit në detyrë të Bashkisë së Himarës.

Më 12 maj 2023, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje".

Bashkë Fitojmë tradhton Belerin?

NGJARJA E DITËS/ Një grua merr Himarën nën

Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjKKO) e dënoi më 5 mars me dy vjet burg Belerin për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje". Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe Greqi.

Interesant është fakti se Koalicioni Bashkë Fitojmë, pra këshilltarët e Foltores dhe Partisë së Lirisë kanë bashkuar votat me Partinë Socialiste për të komanduar nënkryetaren e Bashkisë së Himarës, Blerina Balaj.

Kjo e fundit mori 15 vota pro. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Himarës, Dhimitër Kapaj tha për Report TV se nga 9 vota që ka PS, pjesa tjetër e votave pro janë dhënë nga Bashkë Fitojmë.

“U zgjodh Blerina Balaj, nënkryetare e Bashkisë Himarë. Ligji thotë që një nga nënkryetarët marrin drejtimin. Grupi i PS propozoi Blerina Balajn.

Më 15 vota u zgjodh. Ne 9 vota kemi. Pjesa tjetër janë Bashkë Fitojmë. Përveç anëtarëve të PS, u bashkuan edhe pjesa tjetër”, tha ai.

Ai komentoi edhe tensionet në Këshillin Bashkiak nga mbështetës të Fredi Belerit.

“Është e paqartë akoma. Disa njerëz për interesa të tyre. Ne vendosëm ta bënim me dyer të mbyllura për shkak të tensioneve. Pikat e rendit të ditës do i shqyrtojmë ditë tjetër", tha ai.

Bala në reagimin e saj shpreh falenderimin për besimin e dhënë nga Këshilli Bashkiak dhe shton se fokusi i punës në vijim do të jetë përmbushja e objektivave për një sezon sa më të suksesshëm turistik.

“Së pari më lejoni të bëj një falenderim të veçantë për besimin që më është dhënë sot. Në muajt në vijim fokusi i bashkisë Himarë do te jetë i përqendruar në punë me qëllim përmbushjen e objektivave dhe synimeve, sidomos referuar sezonit turistik. Jam e ndërgjegjshme që asnjë punë nuk bëhet vetëm, ndaj mendoj se pas 10 muajsh të vështirë, Himara meriton që midis aktorësh vertikal dhe horizontal, të ketë bashkëpunim sa më të ngushtë e mbështetje sa më të madhe. Ju faleminderit”, deklaroi Bala pas emërimit në krye të bashkisë së Himarës.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH