Kryeministri Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes në Shëngjin, ka zhvilluar një konferencë për mediat.
Rama theksoi se këtë herë mbledhja tradicionale maratonë e shumicës qeverisëse ka patur 3 sesione ku në fokus ka qenë parlamenti, institucionet qendrore dhe në fund një mbledhje e ngushtë e kabinetit qeveritar.
“Si zakonisht kjo maratonë prek të gjitha aspektet që lidhen me veprimtarinë e shumicës qeverisë, me veprimtarinë politike, parlamentare, qeveritare dhe pastaj duke trajtuar çdo aspekt dhe duke hyrë në çdo sektor madje edhe nënsektor”, u shpreh ai.
Para se të kalonte tek pyetjet e gazetarëve, kryeministri Edi Rama u ndal në disa prej çështjeve më të rëndësishme që u diskutuan dhe që kanë të bëjnë me ato infrastrukturore. Ai theksoi se brenda këtij viti do të hapet për qarkullim aksi Thumanë-Kashar për të cilin tha se është nevralgjik si pjesë e Korridorit Blu.
Teksa u pyet pse vendosi të largojë ministren Elva Margariti nga drejtimi i Ministrisë Kulturës, ai u përgjigj:
“Ministria e re nuk është krijuar për të larguar zonjën Margaritit, por është bërë për të krijuar një strukturë të re. Ka të bëjë më nevojën të jashtëzakonshme të vendit për të ecur më shpejt, duke thyer edhe kufijtë tradicionalë, në ndërkohën kur ekonomia jonë, sektori po themi institucional, pjesa institucionale që mbulon ekonominë ka nevojë për një shtysë të re të fortë, sepse janë një serë sfidash që kërkojnë shtysa”.