Politikë

Luçiano Boci: Edi Rama duhet të merret i pandehur për 21 janarin

Shkruar nga Liberale

 

Luçiano Boci: Edi Rama duhet të merret i pandehur për 21

Luçiano Boci


Sa herë vjen kjo datë, shpërthen një dhunë-zhurmë mediatike, produkt i një propagande të shfrenuar dhe histerike.

Gjithçka fokusohet tek pasoja fundore e kësaj ngjarje, duke lënë me qëllim jashtë vëmendjes shkakun thelbin dhe dinamikën që prodhoi 21 Janarin e që ngjarja të mbesë e izoluar në përjetimin emocional (të drejtë) të humbjes së katër jetëve.

Është një shtrembërim i së vërtetave që mbështetet në teknologjinë e propagandës thërrmuese e jo në fakte.

Dhuna që prodhohet sot ndaj 21 Janarit, është ekuivalente me atë dhunë që u dëshmua nga organizuesit e saj politikë atë ditë.

Ndërkohë shkaku e thelbi i ngjarjes është i qartë dhe i dukshëm.

21 Janari nuk ishte protestë, siç e retushojnë sot e dje grafomanët politikë e mediet servile. Nuk ishte protestë e thjeshtë që rastësisht u shndërrua në tragjedi.

21 Janari ishte tentativë e përmbysjes së rendit kushtetues me dhunë dhe marrje pushteti e paralajmëruar po me dhunë.

Ai si i tillë u përgatit, u paralajmërua dhe u financua nga njerëz tashmë në pushtet,  pushtet të cilin kërkuan që atëherë ta merrnin e mbanin me dhunë, në krye të cilëve qëndron Edvin Rama.

Kush ishte i dëshiruar për viktima?

21 Janari u pararend dhe u paralajmërua si ngjarje e përgjakshme nga vetë organizuesit.

Rama vetë në prononcimet e tij deklaronte domosdoshmërinë e pasjes së viktimave. Dhe zinxhiri politik i tij përfshirë mediet pranë tij, ngrinte lart retorikën e një dhune të domosdoshme. Ndërsa organizuesit pajisën dhe financuan çdo detaj për ta derdhur turmën drejt policisë e për të pushtuar Kryeministrinë.

Rama i dërgoi njerëzit para Kryeministrisë që t’i vriste jo t’i drejtonte në një protestë politike.

Suksesi i Ramës për atë ditë u barazua me dy fjalë: gjak dhe viktima.

Kjo ishte dëshira e tij, por mbi të gjitha qëllimi i tij.

Rama ia arriti këtij qëllimi me format dhe mënyrat që dihen. Madje duke përdorur dhe grupin e zjarrit të gardës drejtuesin e së cilit e dekoroi politikisht, deri në Kryetar Bashkie.

Dhe poshtërsisht këtë qëllim, vazhdon ta përdorë me të njëjtën dhunë, duke u munduar të fshehë rolin e përgjegjësinë penale të vetën ndaj kësaj ngjarje.

Aspak i interesuari për pasojat me jetë të kësaj ngjarje, ishte Kryeministri Sali Berisha.

Kjo dhe në planin njerëzor, por dhe politik. Çdo degradim i ngjarjes do ishte një minus për qeverisjen e tij dhe ai bëri gjithçka që kjo të mos ndodhte.

Ai ishte personi më i largët i pasojave të kësaj ngjarje për faktin e thjeshtë se mbrojtja e institucioneve shtetërore bëhet pavarësisht vullnetit të tij, nga organet e përcaktuara ligjërisht.

Retorika ndaj Sali Berishës është krejt boshe dhe e pavlerë.

Kush duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjen?

Moralisht për njerëzit që i merr për arsye politike mban përgjegjësi ai që i thërret.

Këtu s’ka asnjë mëdyshje. Viktimat i përdori si mish për top ai që sot e gjithë këto vite teatron sikur i dhemb. Përgjegjësinë e ka njeriu që e ndërtoi pushtetin e vet mbi fatkeqësinë e katër familjeve që i keqpërdori atë ditë dhe vazhdon t’i keqpërdorë për qëllimet e tij të ulta politike e për të akuzuar pa asnjë bazë kundërshtarin e tij politik.

Juridikisht: Akuza e ngjarjes është e thjeshtë: Permbysje e rendit kushtetues me dhunë me autor Edvin Ramën.

Përgjegjësitë e tejkalimit të kompetencave nga garda janë marrë dhe janë konsumuar në një proces të ezaurur.

Ngelet vetëm pika e kontaktit e Ramës, jo e vetme, në grupin e zjarrit, aktiviteti i së cilit e të cilëve mbart shumë pikëpyetje.

Hiqeni vellon e emocionalitetit dhe dhunën ndaj 21 Janarit, sepse qartazi dhunën dhe pasojat e dhunshme i prodhoi tentativa e Ramës për të marrë pushtetin me dhunë!

SPAK të marrë Ramën të pandehur për 21 Janarin!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH