Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me simpatizantët e tij në Facebook. Kreu i PD-së u ndal te procesi i vetingut, ndërsa ngriti sërish akuza ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
“Dumani sundon SKAPIN me 3 banesa, njoh gjyqtarë te mrekullueshëm që janë nxjerrë jashtë sistemit për një dhuratë..procesi vetiungut, lufte klasash, janë nxjerrë nga sistemi gjithë katolikët që nuk kanë pranuar të mbahen peng nga Edi Rama. Reforma bëhet vetëm me komisionin e Venecias, jo si herën e parë me ekspertët e George Soros”, tha Berisha.
Për Berishën, ndërkombëtarët janë shpresë dhe mbështetje e madhe për opozitën në Shqipëri.
“Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë, organizata e cila defakto drejtohet, grupon me dhjetëra parti, mbi 80 e ca parti, dhe drejtohet nga Partia Republikane e SHBA-së, ka miratuar me unanimitet dje një rezolutë, në të cilën gjendjen në Shqipëri e përshkruan atë të një diktature, të krahasueshme me Tunizinë dhe Bjellorusinë, në të cilën të gjitha pushtet janë të përqendruara në një dorë, zgjedhjet janë të shndërruara në një fasadë, opozita, drejtuesit, deputetët, eksponentët e saj, persekutohen për motive politike, njëlloj si në Tunizi dhe Bjellorusi. Sistemi i drejtësisë është shndërruar në një armë që i shërben regjimit, thotë rezoluta”, tha Berisha.
Në bashkëbisedimin me qytetarët, Sali Berisha është shprehur se Shqipëria është një epiqendër e pastrimit të parave të krimit.