Gjykata e Apelit të Tiranës la në fuqi të martën dënimin me dy vjet burg të dhënë nga gjykata e shkallës së parë ndaj Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur etnik grek të Himarës në jug të Shqipërisë dhe tashmë eurodeputet për Demokracinë e Re.
Vendimi do të thotë që Beleri nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në seancën e parë plenare të Parlamentit Evropian nga 16 deri më 19 korrik në Strasburg.
Bazuar në mënyrën se si numërohen ditët e burgut në Shqipëri (duke filluar nga maji 2023 çdo ditë është llogaritur afërsisht një e gjysmë), ai nuk do të lirohet para tetorit.
Deri atëherë, mes korrikut dhe tetorit, vlerësohet se qeveria e Edi Ramës do të shpallë zgjedhjet në Bashkinë e Himarës për të siguruar që të zgjidhet një person i preferuar i partisë në pushtet. Duke qenë se nuk ka procedurë betimi në Parlamentin Europian, Beleri do të marrë kompensimin parlamentar dhe do të konsiderohet i zgjedhur.
Autoritetet shqiptare pretendojnë se nuk janë informuar zyrtarisht për zgjedhjen e Belerit. Sipas Protokollit 7, i cili nuk ka të bëjë vetëm me eurodeputetët, por të gjithë zyrtarët e BE-së, Shqipëria ka çdo detyrim për të lehtësuar Belerin në kryerjen e detyrave të tij.
Vendimi për çështjen, i cili ka acaruar marrëdhëniet greko-shqiptare, në thelb përbën një deklaratë indirekte të synimit të Ramës për të mos u tërhequr, pasi çdo tërheqje do të perceptohej në Shqipëri si një kompromis.
Beleri tha se tashmë ka nisur procedurat e ankimimit në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Strasburg. Ata që ushqenin iluzione se Rama do të sillet si lider i një vendi që dëshiron të bëhet anëtar i familjes europiane dhe jo si një lider tjetër autoritar, u përgënjeshtruan.
Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi, iu referua “shkeljes së prezumimit të pafajësisë, mosdhënies së mundësisë për të betuar një kryetar bashkie, paraburgimit të zgjatur dhe dënimit të tepërt në lidhje me gjoja krimin.”
/Liberale.al/