Politikë

Kuvendi heq Berishën nga lista e pagesave, ja çfarë pritet të ndodhë në qershor nëse nuk ka zhvillime të reja politike

Shkruar nga Liberale

Kuvendi heq Berishën nga lista e pagesave, ja çfarë pritet

Kuvendi i ka ndërprerë Sali Berishës përfitimet financiare që i takon çdo deputeti, përfshi edhe pagën, pasi ish-kryeministri nuk ka marrë pjesë në asnjë prej seancave plenare, mbledhjet e Komisioneve Parlamentare apo çdo veprimtari tjetër që lidhet me të si ligjvënës.

Vendimi për ndërprerjen e pagesave ka lidhje me vendimin e GJKKO-së.

Masa financiare ndaj Berishës nga administrata e Kuvendit është aplikuar që prej janarit 2024, ndoshta si një përllogaritje edhe për kohën se kur ai mund të humbasë mandatin e deputetit, me një mungesë në punimet e Kuvendit prej 6 muajsh.

“Referuar statusit të deputetët dhe vendimi nr. 114/2014 “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, të ndryshuar deputeti Sali Berisha nuk i paguhen përfitimet si karburanti dhe telefoni për shkak të masës së sigurimit personal të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim nr. 520 datë 30.12.2023”.

Kjo ishte ndalesa e parë financiare që u aplikua nga Kuvendi ndaj Berishës.

Me një përllogaritje të thjeshtë, ish-Kryeministri nëse nuk arrin të marrë pjesë në seancat e mbetura deri në 11 qershor, ai plotëson kohën e plotë të mungesës në Kuvend, çka do të thotë se për të nis procedura e humbjes së mandatit të deputetit.

Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit, ditë kur gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, firmosi vendimin që ndaj ish-Kryeministrit të aplikohej masa e “arrestit të shtëpisë”, ndërkohë që më parë ai kishte kundërshtuar ashpër dy nga masat që i kishte vendosur SPAK, detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit.

Berisha pretendonte se masat ishin anti-Kushtetuese, pasi SPAK nuk kishte marrë më parë  leje nga Kuvendi për të kufizuar veprimtarinë e tij si deputet.

Dhe pasi SPAK kërkoi autorizimin nga Kuvendi që u miratua, Prokuroria Speciale vendosi të aplikojë një masë më shtrënguese, atë të arrestit shtëpiak, që është lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e drejtësisë, përfshi edhe Gjykatën e Lartë.

SPAK po heton procedurat e ndjekura për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa fillimisht arrestoi dhëndrin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezin, për të cilin Apeli i GJKKO-së, vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” sikundër kishte firmosur gjyqtarja Irena Gjoka, në “arrest shtëpie”.

Ndaj Berishës dhe Malltezit SPAK po heton për vepra penale të lidhura me pastrimin e parave dhe korrupsionit, të kryera në bashkëpunim.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH