Kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali ka vendosur që të mbledhë Këshillin për Legjislacionin, pas kërkesës së PD për zhvillimin e një seance të jashtëzakonshme, kërkesë që nuk është pritur nga Gazmend Bardhi pasi duket se data e caktuar duket disi e largët nga kërkesa e deputetëve demokratë.
Në një njoftim për mediat, sqarohet se mbledhja jashtë sesionit parlamentar do të zhvillohet më 27 gusht në orën 11:00 dhe do të diskutohet lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
“Të nderuar kolegë, ju njoftojmë se në datën 27 Gusht, ora 11:00, në Kryesinë e Kuvendit, do të zhvillohet jashtë sesionit parlamentar, mbledhja e Këshillit për Legjislacionin. (Urdhër Nr. 54, datë 08.08.2024, i Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali. Këshilli për Legjislacionin do të mblidhet për të shqyrtuar vendimin nr. 55, datë 10.07.2024, të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Pas njoftimit të Kuvendit ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili ka deklaruar se “Kryetarja e Kuvendit ka miratuar një urdhër antikushtetues”
“Kryetarja e Kuvendit ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të thërrasë sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit brenda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës së 1/5 së deputetëve, për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
"Dënojmë me forcë standartin “një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”. Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor”, thotë Bardhi në deklaratë.