Politikë

INTERVISTA E JAVËS - Xhoi Malësia: Arsyet pse jemi para një emergjence të ndryshimit politik

Shkruar nga Reldar Dedaj

INTERVISTA E JAVËS - Xhoi Malësia: Arsyet pse jemi para një

Intervistoi: Reldar Dedaj

Xhoi Malësia aktualisht drejton 'Breaking' në “Top News”, pjesë e 'Top Media' dhe është një ndër gazetarët më aktivë dhe të palodhur në tregun mediatik. Në rubrikën e saj të përjavshme, me protagonistët e spikatur të mediave, Liberale.al, pikërisht për këtë arsye ka përzgjedhur këtë të shtunë gazetarin Xhoi Malësia, për një kundvështrim ndryshe lidhur me jetën politike dhe publike në vend.
Por a ka vend për ndryshim? - “Demokracia e brishtë shqiptare është dominuar nga maksimumi 5 personazhë të politikës në 34 vite. Besoj se nuk ka nevojë të artikuloj më gjatë për të kuptuar emergjencën e ndryshimit,” - thotë ndër të tjera Xhoi Malësia, në intervistën e ciklit javor, i ftuar në redaksinë LIBERALE:


Liberale.al: Klasa politike shqiptare, reflekton referencat kulturore të vendit?

Në politikë ka një postulat sipas së cilit, “çdo popull meriton qeverinë që ka”. Megjithatë, kjo shprehje në gjykimin tim modest është disi e mbivlerësuar në hapësirën e argumentit qe gjen rëndomë. Nëse do të binim dakord me pohimin në fjalë, do të legjitimonim logjikisht vuajtjet e shqiptarëve në 45 vitet e komunizmit ose vuajtjet e kombeve të tjera në regjime totalitare.

Për t’u kthyer tek pyetja; unë jam i mendimit se shoqëria shqiptare ka ditur të jenë gjithmonë një hap përpara politikës, edhe pse kjo e fundit ka abuzuar me besimin, ka vrarë mundësitë e ka mbytur shpresën.

Për t’i shpëtuar argumentimit të zakonshëm, unë do të përpiqem të faktoj me shembuj konkretë bindjen time. Nëse doni të kuptoni realisht aftësinë e shqiptarëve për të prosperuar shihni ata që kanë ikur jashtë!

Nëse e fillojmë nga arti, sopranot shqiptare si Inva Mula dhe Ermonela Jaho, kanë mahnitur skenat më të mëdha të operas botërore. Mira Murati, një shqiptare nga Vlora, qëndron sot në majën e një prej kompanive më të mëdha të inteligjencës artificiale. Nëse flasim për futboll, kombëtarja jonë ka arritur të na dërgojë në Europë dy herë, për dallim nga politika, por pjesa dërrmuese e lojtarëve luajnë jashtë. Nëse doni të flasim për politikë, një tjetër shqiptare si Arba Kokalari, mbërriti deri në postin e në Nën-Presidentes së Parlamentit Europian. Mund të vazhdoj pafund, por besoj se shembujt janë të mjaftueshëm për të kuptuar se shqiptarët gëzojnë kulturën, aftësitë dhe dëshirën për sukses. Ajo që u mungon është mjedisi i favorshëm. E për këtë, besoj se fajin më kryesor politika, klasa e cila merr vendimet me më shumë peshë të jetës së përditshme. Megjithatë, unë nuk i shfajsoj totalisht qytetarët, të cilët duhet të gjejnë forcë për ndryshime pozitive, sikurse gjetën në fillim të viteve 90-të.

Liberale.al: Peizazhi politik i viteve të fundit në Shqipëri ka zbuluar disa emra të rinj, edhe në moshë, si alternativë përballë forcave tradicionale të pushtetit, sipas jush, nëse për një moment vendos dhe hedh shikimin nga ata, ju duket kjo që shihni, një pamje e plotë?

Rifreskimi i klasave politike është nevojë e çdo shoqërie, përfshirë atë shqiptare. Demokracitë më të përparuara të botës, jo më kot, kanë patur tradita pozitive si në rastin e Shteteve të Bashkuara. Për shembull, Presidenti parë i ShBA, Xhorxh Uashington dhe Presidenti i tretë, Tomas Xheferson, vendosën që të mos shërbejnë për më shumë se dy mandate në krye të shtetit, duke vendosur një traditë politike e cila u respektua për rreth 150 vite (me përjashtim të rastit të Presidentit Rusvelt), deri sa u sanksionua me Amendamentin e 22-të të Kushtetutës amerikane.

Demokracia e brishtë shqiptare është dominuar nga maksimumi 5 personazhe të politikës në 34 vite. Besoj nuk ka nevojë të artikuloj më gjatë për të kuptuar emergjencën e ndryshimit.

Në vendin tonë, kemi parë disa elementë të rinj që janë përpjekur të çajnë dallgët e forta të politikës së vjetër. Një pjesë e tyre në mendimin tim janë notarë të mirë. Por ka diçka; dallgët do ishin më të thjeshta të kaloheshin me një anije të fortë (këtu nënkuptoj një kontratë politike, një formacion të qëndrueshëm dhe një ambient ftues e gjithëpërfshirës). Mangësia e të rinjve në politikë ka qënë mos gjetja e rrugëve për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Pasagjerët (votuesit) nuk shkojnë pas notarëve, ata priren drejt anijeve. Për këtë arsye, dy partitë e mëdha kanë arritur të mbijetojnë edhe më probleme të tmerrshme rrënjësore.

Këshilla ime për të rinjtë, të cilëve e them pa droje se u dëshiroj shumë sukses, është që të ndërtojnë një anije të vërtetë demokratike, e cila të krijojë besim. Mekanizmi i vetëm që e siguron këtë është respekti ndaj votës. Pa një anije të fortë, e të ndryshme nga anijet e vjetra, të rinjtë do ta kenë vështirë të gjejnë portin e fitores.

Liberale.al: Në këndvështrimin tuaj, ku pjesa më e madhe e partive opozitare në vend, kryetarët e tyre i kanë subjekte të drejtësisë së re, mund të konsiderohen alternativë pushteti?

Skena botërore na ka treguar se telashet ligjore, ironikisht nuk përcaktojnë fatin politik të një individi. Unë do sjell ndërmend tre shembuj të prekshëm për këtë argument. Së pari, Donald Trump me shumë mundësi do të jetë kandidati republikan në zgjedhjet e ardhshme amerikane, me një mori akuzash në dëm të tij, përfshirë edhe një dënim për mashtrim të kompanive bankare. Së dyti, Presidenti i Brazilit, Ignacio Lula, qëndron ende sot në krye të vendit pas një beteje tejet të ashpër me drejtësinë. Së treti, i ndjeri Silvion Berluskoni, e ka patur zyrën më të lartë të qeverisë katër herë, me disa qindra procese gjyqsore në kurriz të tij.

Për rrjedhojë, besoj se më lind e drejta të them se në politikë, duam apo s’duam, të mban vota, pushteti ose karizma. Për këtë arsye, liderët politikë që ne shohim tani në opozitë, do të largohen kur të mos votohen më, kur pushteti i tyre të jetë dobësuar dhe imazhi i tyre të mos nxisë më mbështetje.

Por përveç karakterit të përgjithsëm të analizës, po jap dhe një qasje personale. Sali Berisha dhe Ilir Meta, në mendimin tim nuk mund të jenë kandidatë për kryeministër ose alternativë ndryshe. Por, po aq të pamundur në këtë drejtim shoh edhe Lulzim Bashën.

Liberale.al: Pse kaq shumë politikë në ekran?

Sepse njerëzit e kërkojnë! Mendojeni televizionin si një restorant. Në rast se kuzhinieri nuk gatuan atë që preferojnë njerëzit, biznesi nuk do fillojë të zbrazet. Shqiptarët kanë statistikisht edhe shifra të çuditshme në raport me angazhimin politik. Për shembull; le të krahasojmë dy partitë e majta të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Partia Laburiste britanike, një vend me 67 milionë banorë, ka një antarësi prej 400 mijë aktivistësh. Ndërkohë, Partia Socialiste e Shqipërisë, një vendi me popullsi rreth 30 herë më të vogël, ka 112 mijë antarë. Kjo shifër antarësie do ishte e arsyeshme në rast se vendi ynë do të kishte një popullatë me 16 milione banorë. Për këtë arsye, mendoj se prania relativisht e madhe e politikës në televizion lidhet me kërkesën e publikut.

Liberale.al: Çfarë mendimi keni për “televizionin” në Shqipëri?

Televizioni në Shqipëri vijon të mbetet platforma kryesore e informimit për pjesën më të madhe të qytetarëve. Vendi ynë doli nga një sistem me informacion të centralizuar, tek media e lire dhe iniciativa private. Televizioni është realisht pushteti i katërt pas gjyqsorit, ekzekutivit dhe legjislativit. Në shumë raste media tradicionale ka qënë gardiane e transparencës duke ekspozuar edhe skandale të qeverive ndër vite. Për këtë arsye, gazetarët meritojnë mirënjohje. A ka probleme? Si në çdo fushë, edhe media ka të metat e saj, por nëse vendosim në peshore aspektin negativ dhe pozitiv, unë besoj se prevalon kontributi i dhënë në shërbim të shoqërisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH