Politikë

INTERVISTA E JAVËS/ Anjola Hamzaj: Partitë politike në Shqipëri, pengje të kryetarëve dhe mbrojtëse të interesave të tyre

Shkruar nga Liberale
INTERVISTA E JAVËS/ Anjola Hamzaj: Partitë politike në

Intervistoi: Reldar Dedaj

Në një intervistë për Liberale.al, imazhi i qetë i televizionit Klan, Anjola Hamzaj mendon se frika nga ndëshkimi ideologjik është zëvendësuar nga pasiguria për të garantuar jetën. Diabolizmi, sipas asaj, qëndron në mbajtjen e kësaj shoqërie në kushte mbijetese. Anjola nuk ka asnjë dilemë që vendi ynë ka të rinj me kapacitet, energji, grintë dhe mbi të gjitha vizion. Por po kaq e bindur është që për të thyer estabilishmentin apo forcat tradicionale politike, duhet që këtu të ndodhë një Big-Bang politik.

Liberale.al: Klasa politike shqiptare, reflekton referencat kulturore të vendit?

Më shumë se reflekton, do thosha që e shfrytëzon, madje në mënyrë diabolike. Kjo shoqëri, frikën nga pushteti, unë mendoj se e ka lënë pas. U deshën vite, por ja doli. Brezat e rinj tashmë sistemin dikatorial e kanë histori, edhe pse të treguar nga prindër apo gjyshër në shtëpitë e tyre. Frika nga ndëshkimi ideologjik është zëvendësuar nga pasiguria për të siguruar jetën. Diabolizmi qëndron në mbajtjen e kësaj shoqërie në kushte mbijetese. Hallkat e zinxhirit janë të lidhura. Një nga elementet që tregon funksionim të një sistemi demokratik është mungesa e korrupsionit. Ky i fundit i shtrirë në të gjitha hallkat e sistemit mban të izoluar shoqërinë në një rreth vicioz. Shqiptarët shesin votën dhe ky është treguesi më domethënës. Shqiptarët kanë frikë, sepse në darkë do mendojnë të ushqejnë dhe mbajnë familjet e tyre. Shqiptarët ende mendojnë se rruga drejt suksesit është vetëm drejt politikës. Shqiptarët mendojnë se pasuria vjen vetëm nga politika. Klasa politike historikisht ka vrarë elitat. Metaforikisht, por ky është krimi më i madh. Liderët mbajnë afër ushtarë, ata që binden, ata që thonë vetëm: mirë shef, patjetër shef. Në këtë kontekst kësaj shoqërie i bëhet një padrejtësi e madhe dhe kjo klasë politike, majtas apo djathtas, nënshtrimin e ka strategji të fitores dhe qëndrimit të gjatë në pushtet.

Liberale.al: Peizazhi politik i viteve të fundit në Shqipëri ka zbuluar disa emra të rinj, edhe në moshë, si alternativë përballë forcave tradicionale të pushtetit, sipas jush, nëse për një moment vendos dhe hedh shikimin nga ata, ju duket kjo që shihni, një pamje e plotë?

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Kjo është harta me disa shtesa që shërbejnë për konsolidimin e pushtetit të njërës apo tjetrës parti. Kjo panoramë që prej vitit 1991. Dy parti që kanë prodhuar tre liderë në 34 vite. Për mua kjo është fatkeqësi. Jo për ekzistencën e tyre, por për mbërthimin që i kanë bërë këtij vendi dhe kësaj shoqërie. Në gjithë këto vite, jo vetëm që nuk kam parë parti apo liderë të rinj që mund të jenë alternativë, por edhe kur shfaqen shuhen po njësoj, pa zhurmë. Personalisht nuk kam asnjë dilemë që vendi ynë ka të rinj me kapacitet, energji, grintë dhe mbi të gjitha vizion. Por po kaq e bindur jam që për të thyer estabilishmentin apo forcat tradicionale politike duhet një Big-Bang politik. Dobësimi i opozitës aktualisht, nevoja për ripërtëritje, japin një shpresë për lindje të reja politike. Por kjo mund të marrë kohë, shumë kohë. Nuk mundet që një forcë e re të ngrihet dhe të bëhet alternativë në dy apo katër vjet. Vetëvendosjes në Kosovë iu deshën 12 vjet për t’u bërë alternativë qeverisëse. Këtu kërkojnë suksesin menjëherë dhe kur nuk e arrijnë ose zhduken ose iu bashkëngjiten partive të mëdha dhe humbin identitetin. Prandaj shikon që dhe të rinjtë që hyjnë në dy forcat e mëdha përfundojnë duke imituar liderin dhe duke riprodhuar të njëjtin model.

Liberale.al: Në këndvështrimin tuaj, ku pjesa më e madhe e partive opozitare në vend, kryetarët e tyre i kanë subjekte të drejtësisë së re, mund të konsiderohen alternativë pushteti?

Është problem. Por nuk mendoj se është kjo arsyeja që partitë opozitare nuk janë alternativë sot. Probleme me drejtësinë ka po kaq edhe partia në pushtet, edhe pse me lider të pastër, deri tani. Drejtësia e re, duket shpeshherë edhe e vjetër. Divorci politikë-drejtësi nuk i besoj. Ka ende takime të fshehta. Kulti i individit është problemi më serioz. Sot, Partia Demokratike po vuan pasojat e filozofisë drejtuese të liderit. Partia Demokratike është qeverisur nga një njeri, me mendimin e një njeriu dhe në interesat e një njeriu. Pasardhësit që sot janë armiq u vendosën në interesat e një njeriu. A ka më diktatorial se qëndrimi i një lideri në krye të partisë për mbi 30 vite? Kultura e tërheqjes duket utopike në të dyja krahët. Liria e mendimit, hapja e partisë, udhëheqja mbi parime nuk kanë ekzistuar në partitë politike të pas ‘90. Edhe sot partitë janë pengje të kryetarëve, mburoja dhe mbrojtëse të interesave të tyre.

Liberale.al: Pse kaq shumë politikë në ekran?

Do ta nisja me disa pyetje këtë përgjigje. Pse televizioni publik shqiptar sot nuk është RAI? Pse kryeministri nuk pati të njëjtin entuziazëm opozitar kur erdhi në pushtet që të përmbushë një prej premtimeve të tij më të zëshme? Pse kemi kaq shumë televizione dhe kaq pak gazetari të mirëfilltë? Pse kemi televizione të ndara me ngjyrat e partive? Pse nuk kemi gazetari investigative? Pse televizionet qajnë hallet e partive nga mëngjesi në darkë dhe jo të qytetarëve? Pse s’kemi lajme të bukura në televizion? Sepse, politika është bateria ushqyese. Dikur, politikanët merrnin në telefon drejtuesit e mediave për të ndikuar linjën e tyre editoriale. Tani nuk ka nevojë, se mediat e dinë vetë se çfarë duan politikanët. Më parë gazetarët edhe i ndiqnin aktivitetet e politikanëve, tani iu vinë aktivitetet në redaksi. Pra nga lidhje kemi kaluar në shkrirje./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH