Fredi Beleri ka lënë mëngjesin e sotëm ambientet e burgut të Fierit, ku vuan dënimin me 2 vite heqje lirie, për t’u betuar si eurodeputet në Strasburg.
Më herët ai i bëri kërkesë 5 ditore Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e Parlementit Europian.
Drejtoria e Burgjeve ka lejuar Belerin të betohet si eurodeputet, ndërsa mëngjesin e sotëm ai është pritur jashtë ambienteve të burgut nga bashkëshortja dhe makina e ambasadës greke.
Beleri ka thënë për median greke se “jam i lumtur dhe ju falënderoj për mbështetjen që më keni dhënë për kaq muaj, të tjerat do i them në Athinë”.
Pasi të betohet si eurodeputet, Fredi Beleri do të rikthehet sërish aty më datë 20 korrik, të shtunën, për të vazhduar kryerjen e dënimit të caktuar.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. Për çështjet e tij është angazhuar edhe qeveria greke e cila e quan arrestimin e tij të paligjshëm e politik.