Dënohet me 2 vite burg ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai u shpall fajtor së bashku me 8 persona të tjerë për akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim.
Trupa gjykuese e dënoi me 3 vite burgim Lefter Allën, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë përfundimisht 2 vite heqje lirie.
Alla akuzohet se bashkëpunim me ish-zyrtarët e tjerë favorizoi dy kompani gjatë procedurës së prokurimit publik me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Konesha. Kompanitë që dolën fituese të tenderit ishin ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’.