Deputeti i PD-së, Agron Gjerkmarkaj, ka replikuar me eurodeputetët, pas vizitës dhe indiferentizmit të tyre për arrestimin e Ilir Metës dhe izolimin e Sali Berishës në arrest shtëpiak, duke thënë se është e paprecedentë që 6 muaj përpara zgjedhjeve të arrestohen liderët e opozitës.
Reagimi i tij vjen pasi Parlamenti shqiptar dhe ai Europian nuk mundën të dalin me një rezolutë të përbashkët në përfundim të takimit të dy delegacioneve, kjo për shkak u bë vota kundër e deputetëve të opozitës, të cilët thanë se nuk mund të votonin pro draftit përfundimtar pasi të gjitha propozimet e tyre u rrëzuan.
Reagimi i deputetit të PD-së, Agron Gjerkmarkaj:
“Të nderuar eurodeputet!
Ne si deputetë të opozitës jemi këtu në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ju! E çmojmë shumë komunikimin dhe ndihmën tuaj! Kolegët tanë janë në protestë për çështje madhore të demokracisë në Shqipëri. Ne jemi këtu sepse integrimin e kemi nisur ne si PD dhe e konsiderojmë jetik për vendin tonë!
Ne nuk provokuam askënd në këtë sallë! Nuk fyem dhe nuk bëmë teatër! Ngritëm shqetësime që i konsiderojmë tepër të rëndësishme! Ne jemi të përjashtuar nga 40-60 ditë, më saktë jemi të dëbuar nga Parlamenti! Një rregullore e dhunshme e miratuar së fundmi dhunshëm me kartonët e mazhorancës për të ndëshkuar opozitën! Një e tillë nuk ekziston askund në Europë, në vendet tuaja! Ndoshta akti i parë i ndihmës mund të jetë thirrja që kjo rregullore të hiqet!
ne jemi europianë, kemi qenë gjithmonë! Askush nuk e di më mirë se ne çfarë do të thotë të luftosh 6 shekuj për kontinentin tonë! E kemi patur, e kemi humbur, e kemi rigjetur dhe përpiqemi që në vendin tonë të kemi ato standarde!
Jemi europianë si ju, por kemi patur fat më të keq! Në 34 vite, Shqipëria ka ndryshuar falë lirisë dhe punës së shqiptarëve e këtu nuk mund ta përvetësojë dikush politikisht si realitet!
Miqve italiane dua t’u them se e njoh mirë politikën e vendit fqinj, kam studiuar e jetuar! Dialektika dhe debati as atje nuk është i rrafshët, madje shpesh i ndezur e nuk mund të na kërkohet ne të jemi të heshtur e garniturë!
Asnjeri prej jush, sa do ta keni të lartë respektin për drejtësinë e pavarur, nuk e koncepton që 6 muaj para zgjedhjeve, krejt lidershipi i partive opozitare të ishte i arrestuar apo burgosur! Në Shqipëri, lideri i opozitës është një i arrestuar politik!
Mendoni një çast t’i keni në burg zonjën Shlein, kryetaren e opozitës në Itali e Renzin, Calenden e të tjerë që nuk më vinë emrat dhe sa do ishit të ftohtë në gjykim? A do i shpëtonit ju përcaktimit që po ndërhyhet në fushatën elektorale dhe në rezultatin e zgjedhjeve?
Ndaj kërkoj mirëkuptimin tuaj për problemet që opozita ngriti.