Politikë

FOTO HISTORIKE/ 105 vjet nga Kongresi i Lushnjës, po kaq vjet Tirana kryeqytet  

Shkruar nga Liberale

FOTO HISTORIKE/ 105 vjet nga Kongresi i Lushnjës, po kaq vjet Tirana

Kongresi i Lushnjes u mbajt prej 21 deri më 31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, ndërsa punimet u mbajtën në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kaso Fuga. Gjatë ditëve të punimeve Kongresi zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

Në atë Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Mbas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisione) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 24janar, u zgjodh si Kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani. Po atë ditë nga ana e delegatëve u mbajtën fjalime të ndryshme mbi vrasjen e patriotit Abdyl Ypi, i cili kishte qenë një nga iniciatorët e mbajtjes së atij kongresi. Abdyl Ypin e kishin vrarë njerëzit e qeverisë së Durrësit, pak ditë përpara mbajtjes së asaj mbledhje, me qëllim që të frikësonin delegatët për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes.

Mbledhja e tretë që u mbajt atë ditë, vendosi pas shumë diskutimesh që të bëheshin protestat më të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës, i cili ishte mbajtur më 26 prill të vitit 1915-të.
Për këtë arsye, Kongresi vendosi unanimisht rrëzimin e qeverisë së Durrësit, e njëkohësisht zgjodhi imzot Luigj Bumçin, Mehmet Konicën dhe Dr. Turtullin, si përfaqësues legjitimë të popullit shqiptar, në delegacionin e Konferencës së Paqes në Paris.

Në mbledhjen e katërt që u mbajt më 30 janar, kongresi zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Lartë, imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe Dr. Turtullin. Pas kësaj u zgjodh dhe përbërja e qeverisë së re, e dalë nga ai kongres e cila kryesohej nga kryeministri Sulejman Delvina. Pas Delvinës, në atë qeveri u zgjodhën dhe Ahmet Zogu, Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria, Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, Eshref Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomeni Kosturi,

Në mbledhjen e pestë që u mbajt më 31 janar pasdite, kongresi zgjodhi anëtarët e Senatit dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e shtetit.

Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 janarit të vitit 1920-të, kongresi u dha fund punimeve të tija, duke vendosur Tiranën, për kryeqytet të Shqipërisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH