Ka ndërruar jetë papritur ish-deputeti demokrat, Gert Bogdani. Burime për mediet bëjnë të ditur se Bogdani ka ndërruar jetë në QSUT, pas një arresti kardiak.
Ai ishte dërguar me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë.
Gerti ishte i martuar me aktivisten e njohur Edlira Çepani dhe është babai i dy fëmijëve, Ajrës dhe Reinartit.
Kush ishte Gerti Bogdani?
Gerti Bogdani, i lindur më 7 Korrik 1980 në Tiranë, ishte një politikan mjaft i njohur shqiptar, ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
Mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku diplomohet me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – ‘Medalje Ari’.
Ai është themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.
Karrierën politike e fillon në vitin 2007, kohë kur kandidoi me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton.
Gjatë kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdon aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Në vitin 2011 ai zgjidhet zv/president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nën/Kryetar. Në shtator 2015 zgjidhet Kryetar i IYDU, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.