Jorgo Mandili
Raportimet pranë CIA, zbardhen detajet si u themelua Balli Kombëtar, kontaktet e para me komunistët dhe bashkëpunimi me gjermanët
27/10/2019
Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Në numrin e sotëm, ai tregon detaje mbi themelimin e Ballit Kombëtar.
31 janar 1957
Raport
Balli Kombëtar doli si organizatë nga fundi i vitit 1942, pra rreth një vit pas themelimit të Partisë Komuniste dhe një stinë pas krijimit të Frontit Nacional-Çlirimtar. Deri atëherë anëtarët e kësaj organizate njiheshin si individë nacionalistë. Ata kishin humbur kohë të vlefshme me bisedime akademike, kur komunistët ishin hedhur në veprim.
Ata nisën bisedimet mes tyre për të rënë dakord me njëri-tjetrin mbi hierarkinë e grupit për të kënaqur ambiciet personale të njërit apo tjetrit dhe për të pajtuar pikëpamjet politike. Pra për të bërë atë që bënë komunistët nën diktatin e delegatëve jugosllavë. Këta ishin po aq të sëmurë sa komunistët me grindjet e tyre, por iu desh shumë më gjatë se komunistët për të rënë dakord.
Nacionalistët biseduan dhe me anëtarë të Partisë Komuniste, gjithmonë si individë, me qëllim të kuptonin më mirë kartat dhe qëllimet e partisë para se të angazhoheshin në një bashkëpunim, por siç dihet bisedimet dështuan dhe ata krijuan organizatën e tyre, Ballin Kombëtar.
Deri në fund të vitit 1942 Balli nuk ekzistonte si organizatë politike dhe nuk kishte aktivitet veprues, asnjë trakt, asnjë atentat, asgjë. Kjo dalje e vonshme në skenë, në një kohë kur partia kishte marrë situatën dhe iniciativën do të kishte pasoja për Ballin në të ardhmen. Periudha fillestare nis nga fundi i vitit 1942 pra me daljen e Ballit në skenë dhe vazhdon deri në verën e vitit 1943.
Gjatë kësaj periudhe Balli kërkon të rikuperojë kohën e humbur, por sukseset e tij në qytete janë të vogla. Rinia e qyteteve qoftë ajo punëtore apo intelektuale, ishte lidhur me partinë me anë të formave të organizimit të rinisë komuniste. Po ashtu dhe të vjetrit ishin vënë nën ndikimin e partisë, e cila e kishte bërë apelin e para dhe populli kishte reaguar. Kjo pasi deri atëherë opinioni publik shqiptar kishte qenë kartë e bardhë dhe nuk kishte pasur as parti as tradita politike.
Ndryshe nga qyteti në këtë periudhë Balli regjistroi disa suksese në fshat, i favorizuar nga miqësitë dhe influenca e krerëve të Ballit mbi një pjesë të parisë krahinore. Kështu u krijuan disa çeta balliste në qarkun e Elbasanit, të Durrësit. Në Peshkopi prej influencës së Haxhi Lleshit nuk arritën të krijoheshin çetat balliste dhe as në zonat e tjera të veriut. Me anë të lidhjeve personale krerët e Ballit afruan disa bajraktarë, por nuk bënë asgjë për t’i organizuar ata ushtarakisht. Në këtë periudhë Balli korri disa suksese në qarkun e Vlorës (sidomos në Borsh) dhe në qarkun e Gjirokastrës (sidomos në Tepelenë), në Berat dhe në qarkun e Tiranës.
Krahasimi i Ballit me PKSH
Megjithëse partizanët kishin më shumë çeta se Balli Kombëtar në përgjithësi, epërsia e tyre nuk ishte shumë e theksuar, por kishin më shumë disiplinë ushtarake dhe organizim. Duke pasur këto dy forca paralele jo bashkëpunuese që në fillim, detyrimisht do të lindte konflikti, i cili më vonë do të degjeneronte në një luftë vëlla-vrasëse.
Unë mendoj se një bashkim i këtyre dy forcave ishte i pamundur dhe as një nënshtrim i njërës te tjetra. Partia Komuniste në pozita më të shëndosha nuk mund të pranonte uljen e saj në rangun e Ballit Kombëtar. Ndërsa Balli nuk mund të pranonte nënshtrimin e saj te komunistët (sepse komunistët kështu e kuptonin “bashkimin”) dhe konflikti i armatosur ishte i paevitueshëm mes tyre.
Sipas opinionit tim, sa më shpejt të provokohej ky konflikt aq më mirë do të ishte për Partinë Komuniste dhe sa më vonë të niste aq më mirë për Ballin. Kjo sepse Balli gjatë kësaj periudhe po i shtonte forcat e tij me ritme të shpejta sesa ritmi i komunistëve. Komunistët kishin një avantazh prej një viti prandaj ballistët duhet të forconin organizimin e tyre.
Por Balli në këtë pikë veproi rrëmbyeshëm dhe në atë pikë ku dëshironte të vinte Partia Komuniste, pra duke provokuar konfliktin e armatosur, ose duke reaguar ndaj provokimeve komuniste. Pas nisjes së përplasjeve zonat e kontrolluara nga ballistët u zvogëluan pasi njësitë e tij shpartalloheshin thuajse në çdo përpjekje kundër partizanëve.
Puna ideologjike ishte e dobët në ushtrinë balliste dhe ushtarët e saj dezertonin sa herë t’u tekej. Në këto kushte dhe rekrutët e rinj preferonin të bashkoheshin me palën që dukej si fitimtare që ishin komunistët.
Në fund të verës 1943 Balli ishte në pozita jo të favorshme dhe me perspektivë të errët. Gradualisht Balli ishte i destinuar të mbyllej përherë e më shumë në zona të kufizuara dhe të humbte më shumë njerëz. Periudha e izolimit nis në vjeshtën e 1943 kur kapitulluan trupat italiane. Kjo situatë u shfrytëzua në maksimum nga partizanët duke u armatosur mirë dhe duke bërë të tjera goditje kundër Ballit, prandaj për të ruajtur pozitat e tij Balli u lidh me gjermanët.
Kështu, njësitë balliste lanë zonat që u kishin mbetur dhe hynë në qytete ku sundonin gjermanët, të cilët u dhanë armatime dhe i përdorën si forca ndihmëse. Për një kohë të shkurtër ata i lanë Ballit kontrollin e qyteteve, si për shembull Korçën.
Trupat e Ballit ndihmuan forcat gjermane në Operacionin e Dimrit 1943-1944 duke dëbuar partizanët nga shumë zona. Por qëndrimi i tyre ishte i shkurtër pasi partizanët vetëm ishin tërhequr me humbje të vogla dhe shumë shpejt u rikthyen duke dëbuar ballistët. Partizanët rifituan territoret që kishin humbur dhe diçka më shumë në qarkun e Korçës, Beratit, Vlorës e Gjirokastrës.
Në Elbasan, Dibër e Tiranë komunistët kishin humbur dominimin, por Balli e shfrytëzoi situatën vetëm në Elbasan dhe nuk bëri asgjë në Tiranë e Dibër. Këtë gabim Balli e pagoi shtrenjtë pasi në verën 1944 partia çoi në veri Divizionin I-rë sulmues dhe arrijnë të dominojnë situatën. Bajraktarët ballistë me forca të paorganizuara u zunë në befasi, ashtu si dhe bajraktarët legalistë. Çetat balliste të Elbasanit u shpartalluan që në goditjet e para. Partizanët nuk ndeshën në forca të tjera përveç disa bashibozukëve ose grupeve pa disiplinë të mbledhura shpejt e shpejt nga individë feudalë, që nuk mund të rezistonin.
Disfata
Periudha e disfatës së Ballit Kombëtar shtrihet nga fillimi i vjeshtës 1944 deri në nëntor 1944, kur forca ushtarake e Ballit zhduket tërësisht. Njësitë e tij u shpërndanë, duke u kthyer nëpër familje ose duke u arratisur. Tashmë disfata është e qartë për krerët e Ballit prandaj ata orvaten të regjistrojnë qoftë edhe formalisht një fitore politike, duke bërë marrëveshje me krerët e Legalitetit, duke u mbledhur në Prezë, afër Tiranës për krijimin e një qeverie të malit sa për të pasur një pretekst për të ardhmen.
Mirëpo gjatë kësaj mbledhjeje, Preza rrethohet nga partizanët dhe delegatët ua mbathin duke lënë të paprekur dhe darkën e shtruar që do të mbyllte me sukses negociatat. Tamam siç i ndodhi Pompeut me Çezarin.
Nëntori i vitit 1944, domethënë kompletimi i tërheqjes gjermane nga Shqipëria u mbyll dhe me disfatën totale të Ballit. Organizata prej atëherë ka nisur një periudhë të re, për të cilën unë nuk kam njohuri. Arsyet që përcaktuan disfatën e Ballit ishin të tipit organizativ dhe politik. Balli Kombëtar gjatë gjithë kohës ka vuajtur nga mungesa e organizimit.
Në të kishte bërë fole anarkia feudale. Balli doli në mal me vonesë të pajustifikuar dhe kur Balli doli në skenën politike të Shqipërisë, Partia Komuniste e kishte marrë situatën në dorë. Krerët e saj nuk ishin elementët ose personat që kërkonte situata.
Situata ishte revolucionare dhe nevojiteshin njerëz të aksionit, energjikë dhe me iniciativë. Shumica e njerëzve të Balit ishin njerëz biblioteke dhe njihnin vetëm metodat e luftës dhe aksionit që jepnin rezultat në kohën e shembjes së perandorisë otomane rreth gjysmë shekulli më parë dhe as që u orvatën të shkëputen nga metodat e vjetruara. Balli Kombëtar dhe krerët e tij nuk kishin eksperiencë në luftën ilegale të qytetit dhe qyteti dihet që ushtron influencë të madhe mbi fshatin.
Këtë avantazh të madh e kishin komunistët, që kishin fituar eksperiencë nga puna në kohën e grupeve komuniste të qyteteve. Organizimi i Ballit në qytete ishte zero.
Mangësitë
Ballit i mungonin dhe kuadrot e përgatitura të mesme, që ishin heronjtë e panjohur të aksionit. Ndërsa Partia Komuniste kishte kuadro që punonin për ide, teori e plane vetëm në letër.
Ndërsa puna e Ballit bazohej te miqësitë e lidhjet. Komandantët e njësive të tyre ishin në post jo sepse ishin ushtarakë, por sepse kishin lidhje fisnore me eksponentët e kështu me radhë.
Disiplina e Ballit ishte qesharake. Secili bënte ç’ti thoshte koka e tij dhe kjo ndodhte jo vetëm në radhët e ulëta, por dhe në udhëheqje. Ishin të rralla ato njësi të Ballit që i bindeshin një urdhri nga lart. Çdo komandant kishte principatën e tij nga e cila nuk largohej dhe nuk pranonte ndërhyrjen e ballistëve më të lartë. Ai vepronte sipas interesave të tij personale. Balli kishte gjithashtu mungesë uniteti në të gjitha rangjet.
Në Komitetin Qendror të Ballit anëtarët përfaqësonin secili rrymën e tij. Dikush jepte një urdhër që anulohej nga një tjetër apo anasjelltas. Balli nuk veproi për të organizuar ushtarakisht bajraktarët e veriut, të cilët duhet të ishin në fakt bastioni kryesor i Ballit prej traditave, zakoneve e përbërjes shoqërore. Ka një thënie amerikane: “Ku ka një rus duhet të ketë dhe një amerikan”, dhe kështu duket se veproi Balli Kombëtar, i cili ngrinte grupe të armatosura vetëm në ato zona ku ishin vendosur partizanët.
Kritikat
Gjithashtu sjellja e anëtarëve të Ballit në popull ishte prej bashibozukësh. Ata nuk kishin kuadro të përgatitur politikisht dhe kjo i bënte që shpeshherë të silleshin si çeta hajdutësh e cubash mali.
Kështu që ata nuk mund të fitonin simpatinë e njerëzve duke u hequr si patriotë e duke kërkuar desh të pjekur e byrekë me gjalpë. Ashtu si këto çështje organizative (ose si rrjedhim prej tyre) Balli Kombëtar gjithashtu ka gabuar me anën politike.
Anarkia organizative shoqërohej nga anarkia politike. Krerët e Ballit nënvlerësuan që në fillim Partinë Komuniste dhje lëvizjen e organizuar prej saj duke e konsideruar si “lëvizje çiliminjsh” apo studentësh të eksituar, të cilën mund ta shtinin në dorë kur të donin.
Ata mbivlerësuan shumë rëndësinë e personit të tyre dhe meritat e të kaluarës, duke menduar se sapo të dilnin duke reklamuar emrin e tyre populli do i ndiqte nga pas, i zhuritur për ta. Agjitacioni i tyre ishte i varfër dhe pa perspektivë, programi i tyre nuk premtonte gjë për fshatarët, për rininë, gruan. Komunistët qenë shumë të frytshëm në këtë drejtim, duke u treguar demagogë sharlatanë, por gjithsesi parullat e tyre primitive zinin vend në masat e prapambetura shqiptare.
Unë besoj se lufta kundër okupatorit duhej lidhur patjetër me të ardhmen pozitive pas fitores. Masat duhet të tërhiqeshin jo vetëm me perspektivën e një Shqipërie të lirë, por dhe atë të begatisë, të lirisë e demokracisë.
Balli në këtë rast nuk bëri as njërën e as tjetrën. Balli u tregua miop nga ana politike dhe në lidhje me marrëdhëniet me aleatët. Ai refuzonte aksionet demonstrative kundër okupatorit, të cilat ishin të domosdoshme për të justifikuar, qoftë dhe formalisht, ndihmën materiale të vendeve aleate, ose më saktë të anglezëve që kishin shfaqur interes. Balli vinte thuajse në një plan lidhjet si me gjermanët ashtu dhe me anglezët. Unë besoj se anglezët do kishin qenë më të predispozuar të ndihmonin Ballin nëse ata do ishin treguar më taktikë.
Mirëpo në vend që të afroheshin me anglezët, Balli nënshkroi protokollin Dalmazzo. Anëtarë të Ballit hynë në qeveri të ndryshme kuislinge si anëtarë ose kryetarë. Kjo taktikë e gabuar i bënte ata objektiv të thjeshtë nga kundërshtarët politikë dhe i humbiste prestigjin në popull. Balli Kombëtar arriti deri aty të bëjë marrëveshje të hapur me italianët, siç ishte protokolli Dalmazzo, me të cilin Balli zotohej të mos sulmonte trupat italiane në vend.
Gjithashtu trupat e Ballit u vunë hapur në shërbim të gjermanëve dhe në sytë e popullit pushuan së qeni organizatë nacionaliste. Ato u kthyen në forca bashkëpunëtore si milicia italiane apo xhandarmëria shqiptare e gjermanëve. Shkurt e gjitha historia e Ballit është një seri gabimesh politike me një mori të metash organizative. Në këto gabime duhet kërkuar e gjetur disfata e plotë e Ballit si në lëmshin ushtarak, politik e më tej qeveritar. Edhe sot Balli nuk ka mbështetje në Shqipëri. Regjimi komunist ka kundërshtarë, por ata nuk konsiderohen ballistë.
Komente të përgjithshme mbi organizatën Legaliteti
Ashtu si Balli Kombëtar, dhe Legaliteti doli në skenën politike me vonesë dhe si ata ishte një organizatë amorfe e pa strukturë. Por ndryshe nga Balli që kishte grumbulluar kryesisht nacionalistë anti-zogistë, te Legaliteti ishin mbledhur partizanët e Zogut.
Kjo është dhe arsyeja që Legaliteti ekzistonte vetëm në veri të vendit, influenca e tij në jug ka qenë zero. Elementi intelektual i Legalitetit ka qenë shumë i pakët. Organizata përbëhej nga feudalë të veriut, bajraktarë dhe elementë jo të qartë politikisht, dhe rrjedhimisht nuk ishin të përshtatshëm për luftë politike.
Aktiviteti i tyre ishte i vogël jo vetëm në lidhje me partinë komuniste por dhe me Ballin Kombëtar. Disa intelektualë të vjetruar të Legalitetit përkrah bajraktarëve feudalë, nuk mund t’i jepnin grupit influencën e duhur politike në shtresat e informuara politikisht.
Eksponenti kryesor i saj ishte Abaz Kupi, njëri gjysmë analfabet dhe pa formim politik. Ky bajraktar fillimisht u bashkua me Partinë Komuniste dhe mori pjesë në Konferencën e Pezës, ku u hodhën themelet e frontit Nacional Çlirimtar.
Ai u zgjodh në këshillin e përgjithshëm me përkrahjen e partisë (e cila e donte pas vetes për qëllimet e saj, për ta përdorur si levë), por më pas në konferencën e Labinotit, nën ndikimin e krerëve të Ballit dhe të miqve të tij, u shkëput nga partia dhe u largua nga Fronti në mënyrë demonstrative, duke njoftuar me anë të një deklarate krijimin e partisë së tij të Legalitetit.
Siç e thashë kjo parti ekzistonte vetëm si emër pasi në realitet ishte një kosh me karavidhe ku gumëzhinin kapitenët e Zogut dhe bajraktarët. Ajo nuk kishte strukturë organizative, komitet qendror apo propagandistik. Çdo anëtar i Legalitetit ishte kryetar më vete, komandant më vete dhe asnjë nuk e konsideronte veten anëtar.
Për arsyet që duhen, Zogu nuk ka gëzuar kurrë simpati në jug. Jugu e ka urryer gjithmonë këtë “parvenu”. Për arsye të sundimit të tij feudalo-policor Zogu nuk gëzonte simpati as në qytete, jo vetëm të jugut por dhe të veriut (si Shkodra, Durrësi, Elbasani). Masa e rinisë qoftë punëtore qoftë intelektuale, e urrente. Zogu gëzonte vetëm simpatinë e bajraktarëve të veriut, të cilëve u ruajti privilegjet pasi ata ishin mbështetja e tij politiko-ushtarake.
Prandaj influenca e Legalitetit ishte vetëm në Veri në shoqërinë më të prapambetur shqiptare. Duhet se gjithmonë influenca politike e këtyre shtresave në çdo vend të botës është zero. Ato janë të forta vetëm ushtarakisht, por jo në kuptimin modern të fjalës. Prandaj Legaliteti ishte një grup pa ndikim politik, por me rezerva të mira ushtarake. Por Legaliteti nuk diti të shfrytëzojë as rezervat e tij ushtarake apo t’i organizojë në reparte ushtarake nacionaliste.
Por përkundrazi ai i shtoi ato në xhandarmërinë kuislinge, me shpresë se do të përmbysej situata pas largimit të gjermanëve nga Shqipëria. Ata bënë llogari të gabuara sepse largimi okupatorit kishte si pasojë të paevitueshme dhe shkatërrimin e qeverisë kuislinge të krijuar prej tyre. Gjithashtu Partia Komuniste shkeli të tërë veriun dhe shpartalloi forcat e Legalitetit.
Trupat më të organizuara të Legalitetit, ato të Bazit të Canës (Abaz Kupit) u thyen nga partizanët me një natë luftë, sado të vendosura në pozicione të forta. Legaliteti ndryshe nga Balli Kombëtar ka marrë ndihma materiale nga anglezët dhe ndryshimi tjetër me Ballin është se nuk i vuri trupat e tij haptazi në shërbim të gjermanëve.
Është e vërtetë se Legaliteti nuk i luftoi hapur gjermanët, por ata gjithashtu nuk kanë goditur partizanët. Unë mendoj se gjithsesi mund të ketë pasur një kompromis mes tyre dhe gjermanëve. Gjithashtu Balli Kombëtar dhe legaliteti kanë pasur njëfarë kompromisi edhe mes tyre, jo shumë të përzemërt e të sinqertë.
Më gjatë nuk di ç’të them për këtë parti, por fundja nuk mendoj se ka ndonjë gjë të madhe. Sado që anglezët u munduan t’i nxisnin ata nuk kishin ambicie. Abaz Kupi ishte një bajraktar feudal matuf e analfabet.