Kryetari i PD shkoi sot në selinë e Partisë Demokratike, pasi GJKKO i hoqi masën e sigurisë "arrest shtëpie".
Në fjalën e tij, Berisha falënderoi mbështetësit, familjen dhe gjyqtaren, Flojera Davidhi. Ai u shpreh se gjyqtarja nderoi ligjin dhe moralin. Mes të tjerash Berisha shprehu mirënjohje për çdo shqiptar, mbështetës të tij dhe të Partisë Demokratike.
“Dua të falënderoj familjen time, e cila mori një dozë të madhe të kësaj sakrifice. Të betejës sonë për shpëtimin e Shqipërisë. Dua të falënderoj me mirënjohje të pakufishme ata qindra e mijëra gra, burra, të rinj, të reja, të moshuar që me qëndresën e tyre të pamposhtur të përnatshme, me fjalimet e tyre shndërruan rrugicën e ngushtë të banesës time ne bulevard shprese për shqiptarët. Keni qenë frymëzimi im. Kauza e drejtë nuk humbet kurrë!
Dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, të gjithë demokratët, opozitarët që me mosbindjen e tyre civile, e bënë Shqipërinë në kushtet më te vështira te narkodiktatures me opozitën më të fuqishme që ajo ka pasur ndonjëherë. Dua të falënderoj çdo shqiptar. Ata në Shqipëri. Ata në Kosovë. Dhe ata në diasporë. Sepse pa të gjithë ju, pa mbështetjen tuaj, pa qëndresën tuaj, kjo ditë, kjo fitore, nuk do ishte e mundur. Falënderoj gjykatësen, e cila nderoi ligjin, nderoi moralin e ligjit dhe të Kushtetutës. Uroj që ligji dhe morali të udhëheqë çdo punonjës të shtetit shqiptar."- u shpreh Berisha.