Politikë

"Detyrim paraqitje" për Berishën, reagon Jozefina Topalli: Vendim absurd nga drejtësia e politizuar!

Shkruar nga Liberale
"Detyrim paraqitje" për Berishën, reagon Jozefina Topalli:

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka reaguar pas masës “detyrim paraqitje” për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, që u dha një ditë më parë.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social, Facebook, Topalli shprehet se ky është një vendim absurd nga drejtësia e politizuar. Më tej ajo thekson se arrestimi i kryedemokratit është pa baza.

Reagim i i plotë:

Një vendim absurd nga drejtësia e politizuar

Dje kemi qenë dëshmitarë të një tjetër vendimi politik nga sistemi i drejtësisë: detyrimi për paraqitje ndaj Sali Berishës, liderit të opozitës. Ky është një akt që sfidon logjikën juridike dhe parimet themelore të drejtësisë.

Ky vendim, i marrë kur hetimet janë mbyllur, nuk është thjesht i pa mbështetur ligjërisht; ai është një absurd juridik që sfidon çdo parim të shtetit ligjor.

Në fakt, absurdi ka shoqëruar çdo fazë të këtij procesi politik.

• Berisha është arrestuar pa akuza.

• Kryetari i opozitës është mbajtur në arrest shtëpie për 333 ditë, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

• Është dënuar nga një gjyqtare e shkarkuar për korrupsion nga vetë Presidenti Berisha.

• Procesi ka nisur nga një ministër i qeverisë aktuale.

• Bazohet në një VKM kolegjiale të miratuar 20 vite më parë.

Me vetëm 4 muaj nga zgjedhjet, është e pamundur të mos e lidhim këtë proces me fushatën elektorale dhe përdorimin e drejtësisë nga pushteti aktual. Kjo është një “gjueti shtrigash” e orkestruar për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.

Ironikisht, duke ndjekur këtë rrugë të gabuar, kundërshtarët e tij po e shndërrojnë Sali Berishën në një figurë të persekutuar padrejtësisht, e cila në vend që të dobësohet, fiton mbështetje dhe solidaritet. Historia ka treguar se padrejtësitë vetëm i forcojnë figurat si Berisha dhe i rrënjosin më thellë në ndërgjegjen publike.

“Kur drejtësia bëhet e politizuar, ajo humbet çdo lidhje me ligjin dhe shndërrohet në një mjet të pushtetit, duke cenuar themelet e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë.”

Drejtësia e politizuar nuk është drejtësi!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH