Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i quajti gënjeshtra deklaratat e opozitës se mund të gjendet një zgjidhje për ata shtetas që jetojnë jashtë dhe nuk kanë dokumente biometrike.
"Sa i përket bashkëatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit, besoj biem të gjithë dakord që për një bashkëatdhetar, p.sh. që jeton në Kaliforni, për të shkuar për të rinovuar dokumentat e tij të ID të Republikës së Shqipërisë, duhet të fluturojë nga Kalifornia në New York apo Washington. Ne e zgjodhëm këtë çështje duke e bërë të mundur zgjatjen e afatit dhe dua t'i garantoj të gjithë bashkëatdhetarët që me çdo lloj dokumenti biometrik të Republikës së Shqipërisë, pasaportë apo kartë ID, të skaduar, vlefshmëria e tyre me këtë akt normativ që ka hyrë tani më në fuqi dhe Kuvendi i Shqipërisë do ta ratifikojë sot deri më 31 maj të këtij viti, dokumentat tuaj janë të vlefshëm."
Balla gjatë fjalës së tij në seancën plenare, duke i bërë thirrje opozitës për të votuar dy aktet normative të Këshillit të Ministrave, u shpreh se deri në 4 mars pritet të regjistrohen 230 mijë emigrantë për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas asaj që theksoi Balla, që prej nisjes në 11 janar të procesit të aplikimit për t'u regjistruar në platformën ‘PER’ për të votuar, mijëra bashkëatdhetarë rezultonin që nuk kishin mundësinë për të rinovuar dokumentet e tyre të identifikimit brenda afatit.
“Për pasojë edhe KQZ dhe më dakordësi edhe të mazhorancës edhe të opozitës qeveria ka sjell sot këtu dy akte-normative që i mundësojnë bashkëatdhetarëve tanë kudo ku jetojnë të vazhdojnë të regjistrohen në shumicë deri në 4 mars për të votuar. Ndaj gjej rastin të shpreh mirënjohjen nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë për të gjithë ata që e kanë bërë këtë detyrë ndaj atdheut, ku janë më shumë se 195 mijë të konfirmuar deri tani dhe pritet që deri në ditën e martë të shkoi deri në 230 mijë”.
"Dy aktet normative kanë ardhur si një kërkesë e bashkeatdhetareve tanë që jetojnë jashtë territorit. Vota e diasporës do i mundësoj këtij kuvendi, dhe padyshim kësaj mazhorance që teksa të mblidhemi në 3 shtator në fillimin e legjislaturës së re do kemi mundësi të çojmë përpara reformat që do të mundësojnë Shqipërinë tonë që brenda 2027 të mbyllim negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Balla.
Balla shpjegoi detajet teknike të verifikimit që e bën të pamundur verifikimin e dokumenteve të lëshuara nga shtete të tjera.
"Gënjeshtra si këto që dëgjuat që shiko se edhe ju që nuk keni fare dokumenta biometrike shqiptare duhet të gjejmë një zgjidhje, e kemi thënë e stërthënë edhe vetë e dimë që është e pabëshme sepse nuk e bën dot për dokumentat biometrikë të Republikës së Shqipërisë që çdo qytetar sot vendos në platformën elektronike të regjistrimit ndjek një proces verifikimi teknik ku përfshihet edhe gjendja civile edhe kompania shtetërore Identitetek e cila përfaqëson të dhënat biometrike. Pse bëheni qesharakë, pse thoni gjëra që i dini edhe vetë që janë të pamundura për t’u realizuar. Si t’i gjejmë ne, si t’i aksesojmë sistemin e të biometrikëve të SHBA-së, të Kanadasë? Është e pamundur, e para nuk lejojnë njëherë por çështja tjetër që u ngrit këtu."
Balla u kërkoi edhe shtetasve shqiptarë të cilëve u ka skaduar pasaporta apo karta e identitetit që t'i rinovojnë deri më 11 maj.
"Sot jemi 74 ditë nga 11 maji. Të dashur qytetarë, që deri më 11 maj ju skadon pasaporta apo karta, deri më 11 maj keni kohë për ta rinovuar."
Kuvendi në seancën plenare, po diskuton dy aktet normative të Këshillit të Ministrave, të cilët synojnë shtyrjen deri në fund të muajit maj të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit .
Në këto dy akte propozohet që të zgjatet afati i vlefshmërisë përkatësisht për letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën për udhëtim jashtë shtetit deri në fund të muajit maj 2025, për shtetasit shqiptarë me vendbanim jashtë vendit, gjë që do të mundësojë votimin për shtetasit shqiptarë jashtë vendit, të cilët kanë dokumente identifikimi të skaduara.
Gjithashtu, Kuvendi në seancën e sotme do të shqyrtojë edhe projektvendimin i cili parashikon një shtesë prej 80 punonjësish me kohë jo të plotë pune në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të përballuar fluksin e madh të regjistrimeve të shtetasve shqiptarë për të votuar nga jashtë vendit.