Politikë

Deklaratat e Spiropalit për gjuhën shqipe "ndezin" Maqedoninë e Veriut

Shkruar nga Liberale
Deklaratat e Spiropalit për gjuhën shqipe "ndezin"

“Gjuha shqipe është e shenjtë dhe ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cënimi i saj në çdo formë dhemb shumë.”

Kjo deklaratë e bërë të hënën nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali gjatë vizitës së saj në shkup, ka trazuar jo pak politikën maqedonase.

Kryeministri Hristijan Mickovski thotë se nuk ka asgjë kundër Shqipes dhe se i respekton identitetet e gjuhëve të tjera që fliten në Maqedoninë e Veriut.

Hristijan Mickovski: Ne nuk jemi si vendet anëtare individuale që duan të kërcënojnë identitetin e kombeve të tjera, ne nuk kemi një qëllim të tillë, përkundrazi, ne e respektojmë atë identitet dhe veçantinë e gjuhës shqipe dhe gjuhën maqedonase dhe të gjitha gjuhët e tjera që përdorin qytetarët në Maqedoni.”

Por nga Partia e Majta, deklaratën e Spiropalit e kanë cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Amar Mecinoviç – “Levica”: Zyrtarët e huaj, në fakt, nuk duhet të kenë kërkesë për politikën tonë të brendshme, kështu që sinqerisht nuk do të komentojmë sepse është jashtë të gjitha praktikave diplomatike.

Ndërkohë që partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut mbështesin deklaratën e Spiropalit si të duhurën.

Ilire Dauti – Fronti Evropian: Padyshim që gjuha shqipe nuk është gjuhë jetime dhe ka pas vetes një popull të tërë unë e kam shprehur edhe më heret është nder edhe për vetë Maqedoninë e Veriut që ta ketë gjuhë zyrtare një nga tre gjuhët indo-evropiane më të vjetra në botë.

Në javën e parë të Tetorit, Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut do të debatojë rreth mundësisë për abrogimin e ligjit të gjuhës shqipe në tërësi, ose vetëm disa pjesë të tij.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH