Nga PAOLO MIELI
Ec e beso në Italinë si aleate. Kundrejt kalimit të kufirit ukrainas në territorin rus, Evropa me një deklaratë zyrtare ka gjykuar : “Ukraina ka të drejtë të sulmojë armikun kudo që ajo t’a quajë të nevojshme”. Shtetet e Bashkuar, nëpërmjet zëdhënësit të departamentit të shtetit, Matthew Miller, ka thënë pak a shumë të njëjtën gjë: “I takon Ukrainës të vendosë sa i takon kësaj mësyemje”.
Edhe se nuk e ka nxitur të shtyhet shumë “përtej kufirit”. Italia është shkëputur haptas e është hera e parë që kjo ndodh që nga fillimi i luftës. Së pari ministri i ynë i Mbrojtjes Guido Crosetto ka theksuar se kurrë arma italiane nuk do të duhej të kishte shtënë edhe një plumb të vetëm përtej kufirit që ndan Ukrainën me Vendin pushtues. Deri këtu asgjë e re, mbetemi në dallimin tradicional hipokrit ndërmjet përdorimit “mbrojtës” e përdorimit “sulmues” të armëve të dhëna qëndresës ukrainase.
Ndërmjet të tjerash dhuratat tona, nga sa dihet, nuk janë të tilla për t’u mbajtur në konsideratë për një mësymje të llojit t’asaj të kryer nga Zelenski në truallin rus. Aq është e vërtetë sa që Shtatmadhoria e Kievit, gjithnji simbas asaj që del, nuk ka parashikuar përdorimin.
Ministri mund të ndalohej këtu. Por, madje ka menduar të shtojë se “asnjë Vend nuk duhet të mësyjë një tjetër Vend”, duke vënë kështu në heshtje, në të njëjtin rrafsh “dy mësyemjet”, atë ruse dhe atë ukrainase. Ka shtuar pastaj se me qenë se, simbas mendimit të tij, “lufta do të bëhej akoma më e ashpër po të zhvendosej në territorin rus”, sulmi në drejtim të Kurskut “do të largojë gjithënjë e më tepër mundësinë e një armëpushimi”.
Me fjalë të tjera, Ukraina nuk ka aspak të drejtë të sulmojë armikun (siç pohojnë SHBA dhe Evropa) “kudo që e quan të nevojshme”, por duhet të luftojë vetëm brënda kufijve të saj. Përndryshe ajo bëhet fajtore sepse ka ndaluar pritmërinë e paqës. Herën tjetër do të thuhet se Zelenski, për të mbajtur pushtetin, dëshëron t’a zgjasë luftën në përjetësi.
Ministri i Jashtëm Antonio Tajani me zë të përvajshëm u vu në rradhë me të. Matteo Salvini, siç ishte e parashikueshme u ngazëllua duke ripropozuar vënien në diskutim të gjithë politikës së dërgimit të armëve në Kiev. Një pjesë e vogël e Pd – Quartapelle, Guerini, Sensi – u alarmua për këtë ndryshim petku të ministrit. Me ironinë që nuk i mungon, kushtetuetari Michele Ainis e ka këshilluar Crosetton (tek Fakti i Përditshëm) të bëjë edhe një hap të mëtejshëm e t’i propozojë NATO-s dërgimin e F16 Rusisë së “mësyer” nga Ukraina, në funksion mbrojtës, kuptohet. E në respektimin e nenit 11 të Kushtetutës.
Në të gjithë këtë, Giorgia Meloni, ka lënë të nënkuptohet, ndërmjet shënimeve të zakonshme jo zyrtare, një murmurimë mos miratimi kundrejt ministrit. Por shënimet e Melonit janë jo zyrtare deri n’atë pikë sa të mos kuptohet se mendimi ndryshe i kryeministres dhe ministrit është apo jo një lojë palësh.
Në të vërtetë, për të dalë nga e gjithë kjo që mban një erë hipokrizie, duhet thënë se misioni i Zelenskit në tokën ruse duket sheshit se shëmbëllen me diçka më shumë se një kundërsulm për të goditur bazat nga nisen raketat vdekjeprurëse që godasin tregjet, centralet elektrike e spitalet ukrainase.
Duket se priret më shumë në pushtimin e një zone (në brëndësi të së cilës ka një çentral bërthamor) që të mund të shkëmbehet pikërisht për të krijuar kushtet e një armëpushimi. Për shembull me atë të Zaporizhias, çentralit bërthamor me të cilin rusët ende këmbëngulin. E mundëshme por jo e sigurtë që ukrainasit të arrijnë në synimin, shumë të qartë për Putinin, veprimi i Kurskut – në ndryshim nga ajo që thotë Crosetto – mund t’a bëjë të mundur një traktativë paqeje. Prandaj Evropa dhe Shtetet e Bashkuar, edhe se parandjejnë rreziqet, nga çasti që nuk kanë harruar përfundimet e kundër mësymjes së verës së shkuar, nuk e kanë penguar.
Në këtë pikë duhet thënë, edhe këtu pa hipokrizi, që një dinjitar i lartë i Shtetit siç është ministri i Mbrojtjes do të duhej të kishte kujdes, kujdes të madh në përdorimin e foljeve e të fjalëve. Ka një ndryshim të madh ndërmjet atij që “mësyn” një Vend për t’a pushtuar ose, gjithsesi për të mbajtur një pjesë të mirë të tij për një kohë të pacaktuar) dhe atij që kalon kufirin për të goditur sheshet nga nisen raketat që, prej dy vite e gjysëm, shkaktojnë shkatërrime e vdekje. Apo – nëse është me gjasë e mundëshme hamëndja që kemi formuluar – për të pasur diçka për “të kthyer” në synimin për të mbajtur një pjesë të tokës së Ukrainës, që ende nuk është e pushtuar tërësisht nga armiku.
Të lihet të kuptohet se bëhet fjalë për dy “mësymje” të barabarta o, sidoqoftë, të gjykueshme me të njëjtin metër nuk është e ndershme. Për më tepër t’a bësh në këtë mënyrë, ndërsa Evropa, Britania e Madhe (dje me një deklaratë të vendosur të kryeministrit Keir Starmer) e Shtetet e Bashkuar marrin qëndrime krejtësisht të ndryshëm, është shprehje për të satën herë e provës se në çaste të vështira Italia nuk është një aleat i besueshëm.
Crosetto nuk është i pari, e druajmë, nuk do të jetë i fundmi për t’u tërhequr kur në horizont të duket vagëllimthi rreziku i humbjes. E do t’ishte një padrejtësi të ngarkohej mbi shpatullat e tij një gjykim kaq i ashpër mbi besueshmërinë e Vendit tonë. Por është po aq e vërtetë se në disa çaste si ky nga një hollësi e vogël shihet se nga çfarë stofe janë bërë klasat tona drejtuese. Fatkeqësisht, pothuaj se gjithmonë nga e njëjta.
“Corriere della Sera”, 12 gusht 2024 Përktheu Eugjen Merlika