Politikë

Berisha zbulon datën e PROTESTËS kombëtare dhe paralajmëron: Do të jetë më e fuqishmja që ka njohur Shqipëria!

Shkruar nga Liberale

Berisha zbulon datën e PROTESTËS kombëtare dhe paralajmëron:

Ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur një protestë kombëtare më 8 shkurt, e cila siç tha ai do të jetë më e fuqishme që Shqipëria ka parë ndonjëherë.

Në deklaratën për mediat,  kreu i PD i ftoi të gjithë qytetarët që të bashkohen në këtë tubim, që sipas tij do të jetë madhështor. 

“E gjithë Shqipëria në Tiranë dhe e gjithë Tirana në sheshe dhe rrugë”, tha Sali Berisha, i cili nuk dha detaje në lidhje me orën apo organizimin, por tha se do të njoftohen në ditët në vijim.

Mes të tjerash Berisha u shpreh se protesta do të zhvillohet për “të treguar mospajtimin e plotë me këtë grusht kriminelesh që nuk njohin asnjë normë që bëjnë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë”.

"PD, e cila prej kohësh ka shpallur mosbindjen civile si rrugë të vetme të qëndrimit ndaj kësaj qeverie më datën 8 shkurt fton protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur Shqipëria, ditën e shtunë për të treguar mospajtimin e plotë me këtë grusht kriminelesh që nuk njohin asnjë normë që bëjnë gjithçka për një Shqipëri pa opozitë, që mendon sesa më shumë vjedh aq më shumë e votojnë.

Që mendon sesa më shumë poshtëron shqiptarët aq më shumë e votojnë, sesa më shumë frikëson shqiptarët aq më shumë e votojnë. Shqiptarët do ngrihen në këmbë në një protestë të fuqishme që Shqipëria nuk e ka parë kurrë më parë. Ndaj ftoj qytetarët shqiptarë ditën e shtunë më 8 shkurt, e gjithë Shqipëria në Tiranë dhe e gjithë Tirana në sheshe dhe rrugë kundër këtij regjimi që i ka bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë dëmet më të mëdha në historinë e tyre. Të gjitha hollësitë dhe ora e protestës do të njoftohen shumë shpejt. Por e shtuna është dita kur shqiptarët zbresin në Tiranë dhe Tirana zbret në sheshe dhe rrugë."- deklaroi Berisha. 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH