Kryetari i PD-së, Sali Berisha, një ditë pas daljes nga arresti shtëpiak, pati një komunikim virtual me bashkatdhetarët në Greqi me rastin e 112-vjetorit të Pavarësisë.
Berisha komentoi marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku tha se jemi dy vende dhe popuj fqinje në shekuj.
Sakaq, kryedemokrati u ndal te Fredi Beleri, teksa tha se eurodeputeti u burgos pasi refuzoi të kandidonte për Partinë Socialsite.
“Qëndrimi tjetër ndaj Fredi Belerit. Tani, ju jetoni aty. Jetoni në vendin tuaj. Ju çdo ditë përpiqeni të sanksiononi të drejtat politike dhe jo vetëm ekonomike dhe kjo është shumë normale.
Sot, në hapësirën evropiane dhe jo vetëm në BE, ju shikoni se si Britania e Madhe kishte një kryeministër indiano-afrikan. Dhe zotëria filloi betejën me Fredi Belerin. Çfarë ishte beteja me Fredi Belerin?
Ua them unë ju që ta dini të gjithë. Absolutisht për refuzimin e Belerit për të kandiduar për PS-në. E thirri në kryeministri, jo, tha ai, jam i djathtë, nuk pranoj të kandidoj për ty.
Dhe filloi beteja. Krijoi një sherr, një grindje në të cilën Shqipëria absolutisht nuk kishte të drejtë, përveçse përdori gjykatën për procese të mirëfillta politike kundër tij dhe dëshmitarë të rremë, dëshmitarë të paguar për të gënjyer në procesin e tij. Dalim prapë tek diktatura pa parime, pa rregulla, pa ligje.
Interesat mafioze të Edi Ramës për brigjet e Himarës mbizotëronin mbi të gjitha interesat e tjera të qytetarëve të Himarës, të marrëdhënieve me fqinjët, etj.”, u shpreh Berisha.