Presidenti i Republikës, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Sarajevë, ku u takua me shqiptarët që jetojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Komuniteti i përfaqësuar në Sarajevë e Mostar nga shoqata “Bashkësia Shqiptare në Bosnjë dhe Hercegovinë” ndau me Presidentin e Shqipërisë shqetësimet për çështjen e respektimit të të drejtave të plota si pakicë.
Begaj vlerësoi integrimin natyror të komunitetit shqiptar në shoqërinë e Bosnjë-Hercegovinës, duke u zotuar për adresimin e shqetësimeve të tyre. Rihapja e ambasadave përkatëse nga të dyja shtetet u konsiderua një lajm i mirë për ndihmën që do t’i japë këtij komuniteti.
Shqiptarët në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk përfshihen në tre grupet etnike me të drejtë përfaqësimi në vendimmarrje dhe ky kategorizim i penalizon ata nga pjesëmarrja në politikë, në strukturat lokale dhe ato qendrore. Presidenti Begaj u shpreh gjatë bashkëbisedimit me komunitetin shqiptar se këtë shqetësim e ka ngritur gjatë takimeve që zhvilloi me Presidentin e radhës së Bosnjë Hercegovinës, anëtarët e Presidencës dhe Kryeministren e vendit.