Politikë

Basha: Shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e do Ramën kryeministër. Ja si mund të rikthehemi në qeverisje

Shkruar nga Liberale
Basha: Shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e do Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, theksoi se shumica dërrmuese e qytetarëve nuk do që Rama të jetë më kryeministër. Ai shtoi se një program serioz çon Partinë Demokratike në qeverisje.

Basha ishte i ftuar në emisionin Kjo javë në News24 të moderatores Nisida Tufa, ku edhe komentoi situatën në PD, por edhe atë politike në vend.

“PD zyrtare është problem real për Ramën. E vërteta është se protestat nuk na kanë çuar asgjëkund. Edhe PS-në kur ishte në opozitë nuk e çoi kund, e gjitha është humbje energjie. Nëse bëjmë protestë, patjetër do mblidhnim shumë njerëz. Dua të them se më 20 shkurt u bë një protestë dhe u tha se do ishte dita e fundit e Ramës. Por, protestuesit u zhgënjyen sepse nuk ishte dita e fundit e Edi Ramës. Nuk është e rëndësishme kjo, por duhet të hapim mendjen dhe të mendojmë si përcaktohet shumica.

Protestat kanë rezultat, por ngacmon nervin e shoqërisë, por aktualisht nuk kanë rezultat. Unë kam organizuar protesta në krye të PD-së, që kishin rezultat, ndërsa tani kemi protesta hije. As ata nuk janë në gjendje të detyrojnë Edi Ramën për diçka. Shumica dërrmuese e qytetarëve nuk do që Rama të jetë më kryeministër. Një program serioz na çon në qeverisje. Po, në Shqipëri numri i njerëzve që duan rotacion politik është më i madh se i atyre që duan status quo”, deklaroi Basha.

Basha u shpreh se mundësia e një aleance me Berishën brenda një federate opozitare nuk mund të vijë si një bashkëpunim mekanik.

Ai theksoi se nuk ka asgjë personale me askënd, teksa parashtroi disa kritere të cilat sipas tij duhet të përmbushen në mënyrë që të ketë bashkëpunim.

Po ashtu Basha tha se listat e hapura, Reforma Zgjedhore, vota e diasporës, shteti i së drejtës, por edhe partneriteti me aleatët perëndimorë janë shtyllat e para ku bashkohen interesat e aleatëve të PD.

I pyetur në lidhje me ndarjen mes demokratëve, Basha u shpreh se ka një Parti Demokratike dhe një pjesë që iu mbivendos interesave të demokratëve për një axhendë personale, duke iu referuar Rithemelimit.

Por a e përjashton kryetari i partisë Demokratike mundësinë e një aleance me Berishën brenda Federatës opozitare?

“Aleanca nuk mund të jetë bashkëpunim mekanik. Nuk kemi asgjë personale me askënd, por kemi këto kritere. Reforma Zgjedhore, listat e hapura, këto i duan shqiptarët. Shumica e shqiptarëve do listat e hapura. Votimin elektronik, vota e diasporës janë shtyllat e para ku bashkohen interesat e aleatëve tanë. Interesi i dytë është shteti i të drejtës dhe më pas partneriteti me aleatët tanë perëndimorë” , the mes të tjerash Basha, në intervistën me Nisida Tufën.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH