Politikë

Balla, në 80-vjetorin e Çlirimit të Librazhdit: Shqipëria sot është një vend më i respektuar se kurrë në arenën ndërkombëtare

Shkruar nga Liberale

Balla, në 80-vjetorin e Çlirimit të Librazhdit: Shqipëria

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ishte sot në Librazhd, ku qytetarë, pasardhës të dëshmorëve dhe figura të pushtetit vendor e qendror u mblodhën në sheshin e qytetit për të nderuar 80-vjetorin e Çlirimit.

Balla foli për rolin e rëndësishëm të Luftës Nacional Çlirimtare në historinë e Shqipërisë dhe pozicionimin e saj përkrah aleatëve që luftuan kundër nazizmit.

“Përkujtimi i këtij 80-vjetori të çlirimit është një nder për të gjithë ne, sepse Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare ka qenë dhe mbetet një moment i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë sonë. Shqipëria gjatë kësaj lufte u radhit përkrah aleatëve të cilët luftuan nazifashizmin, dhe sot, pas 80 vitesh, është po ashtu e radhitur mes vendeve si një anëtare krenare e NATO-s”, tha Balla.

Në fjalën e tij, ministri Balla përmendi gjithashtu respektin që shqiptarët në diasporë kanë fituar përmes kontributit të tyre të vyer në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Balla, në 80-vjetorin e Çlirimit të Librazhdit: Shqipëria

Ai falënderoi qytetarët e Librazhdit, veçanërisht të rinjtë, për praninë e tyre në sheshin e qytetit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.

“Falënderoj gjithë popullin e Librazhdit dhe të rinjtë e shkollave, që sot kanë mbushur këtë shesh për të nderuar ata që luftuan e dhanë jetën për çlirimin e Librazhdit dhe gjithë Shqipërisë. Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare është një gur themeli në historinë tonë. Shqipëria sot është një vend më i respektuar se kurrë në arenën ndërkombëtare. Jemi gati të mirëpresim udhëheqësit e të gjitha vendeve, nga Britania e Madhe në Turqi, nga Suedia në Greqi dhe nga Portugalia në Ukrainë. Ky është një sukses i madh që dëshmon transformimin e Shqipërisë, jo vetëm si një qendër stabiliteti, por edhe si një aleat i dobishëm i NATO-s dhe Bashkimit Evropian në këtë pjesë të Evropës”, u shpreh Balla.

Balla, në 80-vjetorin e Çlirimit të Librazhdit: Shqipëria

Në fund të ceremonisë, ministri Balla përcolli mirënjohjen e tij për të gjithë pjesëmarrësit dhe përfaqësuesit e organizatave të veteranëve dhe të pasardhësve të dëshmorëve, duke theksuar se ngjarje të tilla përkujtojnë lavdinë e historisë dhe na bëjnë krenarë për sakrificën e brezave të shkuar.

“Jam krenar që Librazhdi ka historinë e vet në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, me heronjtë dhe dëshmorët e vet. Ky qytet çdo vit shkëlqen me pjesëmarrjen dhe respektin që i bën kësaj lufte të shenjtë,” përfundoi ai, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në përkujtimin e ditës së Çlirimit më 29 nëntor.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH