Politikë

ASSOCIATED PRESS/  600 milionë euro kostoja për 5 vite, Kuvendi voton sot marrëveshjen për emigrantët me Italinë

Shkruar nga Liberale

ASSOCIATED PRESS/  600 milionë euro kostoja për 5 vite, Kuvendi

Sipas marrëveshjes, Shqipëria të presë mijëra njerëz ndërsa autoritetet italiane do të shqyrtojnë kërkesat e tyre për azil", shkruhet në artikullin e ASSOCIATED PRESS ASSOCIATED PRESS

Parlamenti i Shqipërisë do të votojë sot marrëveshjen me Italinë, për të pritur mijëra emigrantë të shpëtuar në ujërat ndërkombëtare nga autoritetet italiane, ndërsa kërkesat e tyre për azil do të jenë duke u trajtuar.

Sipas marrëveshjes pesëvjeçare, Shqipëria do të strehojë deri në 3000 emigrantë në muaj.

Meqë kërkesat për azil pritet të zgjasin rreth një muaj për t'u përpunuar, numri i azilkërkuesve të dërguar në Shqipëri mund të arrijë deri në 36,000 në një vit.

Dy qendra përpunimi do të ngrihen në Shqipëri me një kosto për Italinë prej më shumë se 600 milionë euro gjatë pesë viteve. Me Partinë Socialiste të kryeministrit shqiptar Edi Rama që mban 74 nga 140 vendet e Parlamentit, marrëveshja pritet të kalojë. Presidenti do të nxjerrë gjithashtu një dekret si hapi përfundimtar i miratimit.

Një grup prej 30 ligjvënësish u përpoqën të bllokonin ratifikimin duke apeluar në Gjykatën kushtetuese, por në fund të janarit gjykata tha se një marrëveshje mund të miratohet nga Kuvendi.

Dhoma e ulët e parlamentit të Italisë miratoi marrëveshjen në janar, e ndjekur nga Senati në fillim të këtij muaji. Marrëveshja, e nënshkruar në nëntor midis zotit Rama dhe zonjës Giorgia Meloni, është pjesë e përpjekjeve të kryeministres italiane për të ndarë barrën e trajtimit të migracionit me vendet e tjera evropiane.

Marrëveshja u përshëndet nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, por është kritikuar gjerësisht nga grupet e të drejtave të njeriut. Dy zonat ku do të priten emigrantë në Shqipëri do të drejtohen plotësisht nga Italia, ndërkohë që ajo do të përshpejtojë kërkesat e tyre për azil. Zonja Meloni ka thënë se pret që ato të bëhen funksionale deri në pranverën e vitit 2024.

Italia do të mbetet ligjërisht përgjegjëse për migrantët gjatë gjithë procesit.

Do t'i mirëpresë ata nëse do t'u jepej mbrojtje ndërkombëtare ose do të organizojë dëbimin e tyre nga Shqipëria nëse refuzohen.

Ata të kapur brenda ujërave territoriale të Italisë, ose nga anijet e shpëtimit të operuara nga organizata joqeveritare, do të ruanin të drejtën e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të BE-së për të aplikuar për azil në Itali dhe për t'i trajtuar kërkesat e tyre atje.

Zoti Rama ka thënë se Shqipëria qëndron përkrah zonjës Meloni në shenjë mirënjohjeje, në emër të shqiptarëve që gjetën strehim në Itali dhe “i shpëtuan ferrit teksa imagjinuan një jetë më të mirë” pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitet 1990.

Italia ka kërkuar më shumë solidaritet nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian për ta ndihmuar atë të përballojë numrin në rritje të emigrantëve të paligjshëm. Numri i emigrantëve që mbërrinin në Itali me anije ishte pothuajse dyfishuar në rreth 160,000 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH