Politikë

Arrestimet tek UBT/ Rama: Kush ka abuzuar do të përgjigjet, por mos të bllokohet puna!

Shkruar nga Liberale

Arrestimet tek UBT/ Rama: Kush ka abuzuar do të përgjigjet, por mos

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ditën e sotme, lidhur me zhvillimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe masat e sigurisë të vendosura ndaj 24 personave të përfshirë në një çështje hetimore.

Gjatë një takimi me Grupin Parlamentar të PS-së, Rama theksoi se rektori i këtij universiteti, Fatbardh Sallaku, nuk është subjekt i një hetimi penal dhe nuk ka asnjë pengesë për të vazhduar detyrën e tij.

“Nuk mund të japim hapësirë dhe nuk mund të bëjmë dëgjesa me persona në hetim, por unë jam siguruar që rektori nuk është njëri prej tyre,” deklaroi Rama. Ai sqaroi gjithashtu se përpara kandidimit për rektor, Sallaku i ishte drejtuar SPAK-ut me një kërkesë zyrtare dhe kishte marrë përgjigje pozitive për të kandiduar.

Ndër të tjera kreu i qeverisë shprehu shqetësimin për impaktin që ky zhvillim mund të ketë te partnerët ndërkombëtarë, sidomos Universiteti BOKU i Vjenës, me të cilin Universiteti Bujqësor ka nisur një bashkëpunim.

“Çfarë do të mendojnë ata kur të dëgjojnë për 24 masa sigurie ndaj një institucioni akademik? Ky është një numër marramendës për një çështje që ka dy apo tre vjet dhe që nuk ka pasur asnjë flagrance,” theksoi Rama.

Kryeministri shtoi se ndërsa çdo abuzim me fondet e kërkimit shkencor duhet të hetohet dhe ndëshkohet, situata aktuale nuk duhet të pengojë punën e universitetit.

“Nuk ka arsye për të bllokuar institucionin. Rektorin e kemi pak demokrat, por është mirë ta lëmë të vazhdojë punën,” u shpreh ai me tone ironike.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH