Politikë

Analiza e Gramoz Ruçit për vijueshmërinë e Partisë Socialiste: Rama të vazhdojë me këtë vizion, ambicie e energji

Shkruar nga Liberale

Analiza e Gramoz Ruçit për vijueshmërinë e Partisë

Më të arrirë dhe më të rritur e shikon ish-deputeti socialist Gramoz Ruçi Partinë Socialiste në 33-vjetorin e saj. Në një intervistë të dhënë për A2 CNN, ai tha se 18 vite qeverisje e kësaj force politike tregon ecurinë pozitive, krahasuar me forcat e tjera politike në vend, por edhe simotrat e saj në Europën Lindore dhe Perëndimore.

“33 vjet më e arritur në planin numerik. Vetëm këtë vit është rritur 33 % krahasuar me 3 vjet më parë, më e re. Mjafton të përmendësh ata që nuk kishin lindur kur lindi PS, sot janë o në drejtim të organizatës, o deputet, o ministra e zv.ministra. Është e vështirë të bësh një analizë. Fakti që PS me mbylljen e këtij mandati plotëson 18 vjet në qeverisje flet për ecuri pozitive krahasuar me forcat e tjera politike shqiptare, por jo vetëm krahasuar edhe me të gjitha forcat politike të majta të Evropës Lindore, shumica e të cilave sot janë inekzistente, por krahasuar edhe me partitë socialiste të Perëndimit, të cilat janë në minorancë me këto rezultate elektorale që ka pasur PS. Parë në këtë këndvështrim gjykoj që PS ka qenë konseguente, me këmbë në tokë e mënd në kokë që ka ditur të analizojë punën dhe veprimtarinë e saj, të rrisë dinamizmin, të reformojë dhe të arrijë rezultate elektorale”.

I pyetur nëse PS ishte më e mirë para vitit 2005 kur në krye të saj ishte Fatos Nano apo tani, Ruçi thotë se kjo parti është shumë herë më mirë sot, por duhet të marrë gjërat pozitive që ka pasur deri në 2005-ën.Sipas tij familja politike është sikurse ajo biologjike.

“Unë mendoj që PS është shumë herë më e mirë në shumë plane sot. Ashtu sikurse sot strukturat ekzistuese duhet të marrin gjërat më të mira e pozitive që ka pasur PS deri në 2005 për të vitalizuar forcën politike dhe veprimin elektoral. Ka një gërshetim, familja politike është si familja biologjike”.

Pakënaqësitë dhe ambiciet brenda Partisë Socialiste për ish-kryetarin e Kuvendit janë normale, ndërsa mohon daljen jashtë kontrollit të qeverisjes së Ramës.

“Absolutisht është fare normale dhe unë do të inkurajoja çdo ambicie të çdo socialisti për karrierë. Por nuk mjafton kjo. Nuk duhet ta mendosh si spritierë, por ta mendosh si maratonist. Nuk mendoj që ka dalë ndonjë gjë jashtë kontrollit, përkundrazi në punë e sipër ka edhe gabime e përgjegjësi, sikurse ka dhe rezultate”.

Të vijojë me vizionin, ambicien dhe energjinë që Rama ka patur këto 3 mandate janë këshilla që Ruçi i jep kreut socialist.

“Këshilla për Ramën është të vazhdojë me këtë vizion e ambicie që ka patur në këto 3 mandate dhe këtë energji që ka pasur këto 3 mandate. Rama sot është shumë herë më i matur në drejtim të qeverisjes dhe PS”.

Socialistët festuan këtë mbrëmje 33 vjetorin e themelimit të Partisë, në një ceremoni në selinë rozë. Ditëlindja e tyre përkon me çlirimin e Kosovës, që sot shënoi 25 vjetorin. Kryeministri Edi Rama mungoi në ceremonitë e organizuara në Prishtinë, edhe pse kishte një ftesë nga Albin Kurti, ndërsa atje ishin Presidenti Begaj dhe kryeparlamentarja Nikolla.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH