Politikë

ZGJEDHORJA/ Alibeaj denoncon ‘harmoninë’ PD-PS: Pazar i politikës së vjetër, mos u çudisni kur të votojnë si me Amnistinë!

Shkruar nga Liberale

ZGJEDHORJA/ Alibeaj denoncon ‘harmoninë’ PD-PS: Pazar i

Ish-nënkryetari demokrat, Enkelejd Alibeaj ngre dyshime se nga përfaqësuesit e PD mungon dëshira për vendin 1 zonë zgjedhore, që do t’i hiqte PS-së të paktën 6 mandate, ndërsa paralajmëron delegjitimitet të zgjedhjeve të 2025

Mungesa e konsensusit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore, e pranuar një ditë më parë edhe nga vetë dy përfaqësuesit e palëve Gjiknuri-Bylykbashi, çka me gjasë do të çojë në dështimin e saj, për ish bashkë-kryetarin e opozitës në Komisionin e Posaçëm, Enkelejd Alibeajn është as më pak e as më shumë veçse pazar mes tyre për të ruajtur sistemin e vjetër politik.

“Çfarë ndodhi, është asgjë më shumë e asgjë më pak, sesa ruajtja e sistemit të vjeter politik në një pazar okult të shëmtuar me njëri-tjetrin! Për të mbrojtur secili pronën e vet! Për t’u mbrojtur nga SPAK. Mos u çudisni, kur një natë para seancës së fundit dikush të nxjerrë një amendament për të mbyllur listat, që do votohet nga 110 e kusur deputete si u votua amnistia”, tha ai.

Alibeaj ngre dyshime se nga përfaqësuesit e PD mungon dëshira për ndryshimin, që do t’i hiqte PS-së të paktën 6 mandate, ndërsa paralajmëron delegjitimitet të zgjedhjeve të 2025.

“Shqipëria 1 zonë, ia hiqte Ramës së paku 6-8 mandate që i fiton qyl në tavolinë. Vetëm kështu i hiqej avantazhi i padrejtë që fitoi në 2020 me heqjen e koalicioneve. Rama gjithësesi, nuk mundet nëse bëhen bashke partitë e vjetra të halleve të mëdha (qofte edhe ne koalicion), por vetem nese mundësohet të bëhen bashkë shqiptarët. Mohimi i së drejtës së votës efektive të shumicës së shqiptarëve që ndodhen jashtë Shqipërisë, i bën zgjedhjet e ardhshme jolegjitime”, tha Alibeaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH