Politikë

A do t'i bashkohet PD zyrtare protestës së thirrur nga "Rithemelimi"? Ja si përgjigjet Enkelejd Alibeaj

Shkruar nga Liberale

A do t'i bashkohet PD zyrtare protestës së thirrur nga

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, zgjodhi të mos komentonte aksionin opozitar, si dhe protestat poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie.

Ai u shpreh në Euronews Albania se në politikë nuk duhet të bazohesh në ndjesi personale keqardhje, mëshire apo varësie psikologjike, pasi politikanët nuk janë thjesht individë por janë përfaqësues të shumë votuesve.

“Në politik duhet të kesh moral dhe doza idealizmi, por  në politik nuk mund të bazohesh në ndjesi personale keqardhje, mëshire apo varësie psikologjike. Ne nuk jemi aty thjesht si individ, por si bartës të interesit të qindra mijëra shqiptarëve që na votuan në 2021. Ata na votuan për të dalë kundër e për të rrëzuar këtë regjim, por edhe për të mbrojtur interesat e tyre. Ky dallim duhet bërë nga kushdo. Kushdo që nuk e bën këtë dallim meriton keqardhje.'- tha Alibeaj.

I pyetur nëse do të marrë pjesë Partia Demokratike me kryetar Lulzim Bashën në protestën e 20 shkurtit, Alibeaj u përgjigj:

“Ne duhet të jemi në protestë me shqiptarët përditë, kundër këtij regjimi, kundër kultit të individit,  kundër asfiksisë së demokracisë, për votën e lirë. Mund ta bëjmë edhe në parlament, unë nuk jam kundër protestave, ato janë një mënyrë, një metodë për të shpërthyer atëherë kur ka një vrull të publikut.

Detyrimi i parlamentarëve është që të çojmë më së pari zërin e qytetarëve atje dhe në rastin kur zëri i tyre atje nuk funksionon, shqiptarët vetë dalin në protestë. Protesta të suksesshme janë ato që publiku bën, ndërsa parlamentarët duhet që të çojnë zërin e tyre në parlament e të mos i shërbejnë axhendës së Ramës me apo pa dashje. Mos të bëhen alibi e qeverisë, por ta nxjerrin cullak Edi Ramën përballë publikut”,-u shpreh ai.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH