Politikë

6 muaj mungesë në Kuvend, kush pritet të marrë mandatin e deputetit në vendin e Arben Ahmetaj

Shkruar nga Liberale
6 muaj mungesë në Kuvend, kush pritet të marrë mandatin e

Pas arratisjes dhe akuzave të ngritura ndaj tij, më 6 janar, ish-ministri Arben Ahmetaj pritet të humbasë mandatin e deputetit, të fituar në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Kjo pritet të ndodhë pasi në kushtet e arratisë, nuk është paraqitur në seancat plenare të Kuvendit në 6 muajt e fundit.

Seanca e 6 Korrikut ishte e fundit kur Ahmetaj ka shkelur në Kuvendin e Shqipërisë. Arsyeja e përfundimit të mandatit gjendet tek Neni 71 i Kushtetutës, ku në gërmën “d” përcaktohet se “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”.

Pas 6 Janarit, Kuvendi do të duhet të shpallë vakancën e krijuar nga humbja e mandatit të deputetit nga Arben Ahmetaj dhe të njoftojë zyrtarisht KQZ-në për plotësimin. Kodi Zgjedhor përcakton se KQZ plotëson vakancën e krijuar me kandidatin e radhës në listën shumë emërore të të njëjtin subjekt politik për të njëjtën zonë zgjedhore.

Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për Qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën. Në rast se Bici do të refuzojë marrjen e mandatit, sikundër përflitet, atëherë KQZ do të duhet të njoftojë kandidatin e radhës, Plarent Ndreca.

Kuvendi votoi më 14 Korrik dhënien e autorizimit për SPAK për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj pasi mbi të rëndonin akuzat për korrupsion në çështjen e incereratorëve. Por SPAK pasi mori autorizimin nuk arriti të ndalojë deputetin Ahmetaj, i cili siç u bë publike ishte larguar nga Shqipëria. Pas kësaj, SPAK e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH