Politikë

" Kurrë mos u bëftë ai hotel", fjalimi ndryshe i Olta Xhaçkës: Jam menduar të lë mandatin ose...

Shkruar nga Liberale

" Kurrë mos u bëftë ai hotel", fjalimi ndryshe i Olta

Ish-ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka mabjtur një fjalim në seancën e sotme plenare, ku u diskutua dhe mandati i saj.

Në fjalën e saj, Xhaçka u shpreh se emri i saj është përdorur si "top lecke", ndërsa shtoi se nuk ka përfituar asgjë duke përdorur pozitën.

Deputetja socialiste u shpreh se çështja e saj është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe se gjykimi është pushuar.

"U bë një kohë e gjatë, që emri im lidhet me paligjshmëri e abuzim me mandatin e deputetes. Prej kohësh tanimë zhvillohen ndaj meje gjyqe prokurorësh dhe gjykatësish pa liçencë drejtësie këtu, në ekrane a në portale, po me licencë lirie për t’u shfrenuar, akuzuar, dënuar dhe qëlluar me të gjithë fuqinë e urrejtjes, mllefit apo thjesht, bindjes së verbër se ku ka një zë ka edhe një gjë, ku ka një ministër ka edhe një aferë, për t’ia marrë tjetrit fytyrën, nëpërkëmbur dinjitetin, shkatërruar reputacionin publik.

Nuk jam përgjigjur, jam menduar. Të rri në këtë detyrë apo të iki. Të vazhdoj të merrem me politikë apo të dorëzoj mandatin dhe të shpëtoj nga ky linçim, ku faktet janë orekse politike, provat janë interesa mediatike, gjykimet mbi të vërtetën e një individi me përgjegjësi, janë paragjykime mbi ngjyrën politike të një personi publik.

Jam menduar ku kam gabuar, për të mbajtur mbi kurriz gjithë këtë furi balte. Një gjë di ta them me siguri, as kam ushtruar influencën time për të përfituar asgjë nga ato që janë bere fakte te kryera si përfitime, as ne fakt nuk kam përfituar asgjë prej tyre, sepse janë thjesht të pavërteta.

Dhe sot, si për t’i vënë kapakun një talljeje të madhe me opinionin publik, ku emri im është gjuajtur, pasuar, dribluar si top lecke, diskutohen këtu nga leckat e topit të opozitës, sikur po votohet për të më mbajtur nëpër këmbë apo lëshuar nga këmba, ndërkohë që në fakt sot Kuvendi s’ka çfarë voton fare për mua personalisht. Sepse çështjen time Gjykata Kushtetuese e ka pasur, i ka vajtur nga 1/5 e deputeteve këtu siç parashikon kushtetuta, e ka shqyrtuar dhe me vendim e ka pushuar.

Jo, sot këtu duhet të votohet për diçka krejt tjetër, që në fakt është shkalla e sovranitetit të parlamentit dhe liria e votës se çdo deputeti. Por gjithsesi, meqë tek ky absurditet i kthyer në një debat dhe tek ky debat i kthyer në një pikë të rendit të ditës së Kuvendit, u arrit për shkak të akuzave të ngritura ndaj meje, e meqë vendimi i sotëm lidhet prapëseprapë me mandatin tim, megjithëse për mandatin tim Gjykata Kushtetuese është shprehur njëherë, unë nuk do të komentoj me tej për këtë, kolegët le të diskutojnë e të vendosin me votën e tyre.", - u shpreh Xhaçka. 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH